Ish-kryeministri Sali Berisha ka zbuluar prapaskena nga marrja në pyetje për më shumë se dy orë e kryedemokratit Lulzim Basha nga hetuesit belgë për dosjen “Toyota Yaris”. Në fjalën e tij gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” në Rrogozhinë, Hekuran Xhani, Berisha tha se hetuesit që kishin ardhur në Shqipëri ishin të vendosur për të zbuluar, sipas tij, lidhjet e Bashës me një grup kriminal. Po ashtu, pretendon se numri një i opozitës në vend ishte lajmëruar që të siguronte avokatë të mirë për çështjen, duke i parashikuar edhe ditë të vështira.
“Ferdinand ti duhet t’u shpjegosh demokratëve lidhjen e Lulzim Bashës me bandën kriminale “Toyota Yaris”. U ngrit në një rast të vetëm në historinë e jetës së tij në Kuvend. I thashë unë çfarë ishte kjo? Iku kjo. U hap hetimi, Edi Rama ia mbylli dosjen. Po nuk ia mbyll dot dosjen belge. I them bëj foto me cilin të duash, po dosja e Belgjikës do të dalë në dritë të diellit. Kur doli pas 2 orë hetimi i thanë dy gjëra, i thanë ky gënjen dhe nën betim. E dyta i thanë, njeh ndonjë avokat se do i kesh ditë të vështira. Doli dhe tha kam besim të madh tek njerëz të ndershëm të BKH dhe SPAK që kanë juridisikon që të trajtojnë çdo problem. Lul ata kanë juridiksion që të hetojnë, arrestojnë, marrin peng dhe të të çojnë atje. Lëri ato, bëj be gjithë ditën. Shpresë nuk ke. Po të paralajmëroj Ferdiand se Luli yt do të ketë disa probleme të tjera të pambyllura shumë të rënda. Mos harxhoni votën për të. Le të bashkohemi të gjithë, pavarësisht nga problemet që kemi patur,”-tha në fjalën e tij Berisha.
Prokurorët belgë pyetën për 2 orë e 20 minuta kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha lidhur me çështjen e “Toyota Yaris”, ku u sekuestruan 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit në 24 qershor 2018. Për mediat, Basha tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë për zbardhjen e plotë të çështjes, të cilën e denoncoi në Kuvend në 22 qershor 2018. Kryedemokrati deklaroi se kishte marrë informacion nga një emigrant shqiptar në Belgjikë se një kontejner me makina, ku njëra prej tyre kishte para të padeklaruara do të vinte në Shqipëri.