Prania e fadromës së IMT-së në lagjen nr.1 të Durrësit, për shëmbjen e mureve rrethuese të dy familjeve Kacmoli krijoi tensione mes Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe familjarëve. Familjarët pretenduan se nuk janë njoftuar për këtë urdhër ekzekutimi të IMT-së.
Sipas Erlind dhe Aqif Kacmoli, sipërfaqja e tokës për të cilën kanë ngritur pretendimin dhe dy familje të tjera është në pronësi të tyre prej më shumë se 50 vitesh dhe disponojnë edhe dokumentet përkatëse.
“Ardi Kacani dhe familja Zalla janë në ndjekje penale për këtë pronën, se ka blerë një tokë në plazh dhe kanë marrë një certifikatë sikur e kanë këtu”,– tha kryefamijari Aqif Kacmoli.
Në vendngjarje ishin të pranishëm edhe dy nënkryetarët e PD Durrës, Pëllumb Berisha dhe Arlind Boshku, sepse njëri nga pronarët kishte ngritur shtabin e kandidatit për bashkinë e Durrësit, Luan Hoti.
Drejtori i IMT Durrës, Dorian Mema, në një prononcim për mediat hodhi poshtë pretendimin e ngritur nga dy familjet Kacmoli, sepse sipas tij sipërfaqja e tokës e kthyer në mollë sherri u përket dy familjeve të tjera që disponojnë çertifikatën e pronësisë dhe nuk ka lidhje aspak me subjekte politike.
Pas më shumë se një ore debati dhe tensioni mes palëve, IMT Durrës ndërhyri për shembjen e mureve dhe gardheve rrethuese të dy familjeve Kacmoli.