Policia e Shtetit ka bërë me dije skemën e grabitjes që po planifikohej të bëhej në një bankë të nivelit të dytë në zonën e bulevardit “Zogu I”. Një telefonatë që denoncoi gërmimet për tunelin e nëndheshme, zbuloi gjithçka por deri më tani nuk ka asnjë person në pranga. Ndërkohë që njoftohet se aktualisht shërbimet e Policisë në duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimi dhe kapjen e autorëve.
NJOFTIMI I PLOTË:
Tiranë
Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme. Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.
Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim.