Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ka vlerësuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit” (pas vdekjes) një nga figurat e shquara të sportit durrsak dhe atij kombëtar Vladimir Ajazi. Në ceremoninë e zhvilluar në ditën e tij të lindjes, kanë marrë pjesë kolegë të tij të nga fusha e sportit, familjarë si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se Vladimir Ajazi për të gjithe durrsakët është një ndër sportistët që ka lënë gjurmë të thella në librin e artë të sportit të futbolllit të këtij qyteti. Themi keshtu – vazhdoi Sako – sepse nuk gjen sot një njeri në këtë qytet që të mos shprehë për këtë njeri, fjalët më të mira, të merituara si sportist, edukator i brezave të tërë nxënësish si mësues i edukimit fizik, trajner me ekipet e qytetit, zëvendëstrajner i ekipit kombëtar dhe mbi të gjitha familjarin dhe qytetarin shembull. Nisur nga këto në këtë ditë të lindjes së tij, kemi zgjedhur ta vlerësojmë me titullin “Mirënjohja e Qytetit” një titull plotësisht i merituar për të.
Në këtë takim kanë folur edhe ish-kolegë të tij duke sjellë kujtime dhe mbresa nga aktiviteti i gjatë si sportist por edhe si trajner. Vladimir Ajazi ka qenë portier i “Lokomotivës” së Durrësit dhe ekipit kombëtar Shpresa, ndërkohë që edhe më pas ka vazhduar të punojë me futbollin, teksa ka qenë edhe trajner i portierëve të Kombëtares për disa vite. Ajazi ka qenë pjesë e një brezi të artë të futbollit durrsak në vitet ‘70 dhe ka qenë një nga personazhet më të dashur e popullor për sportdashësit e qytetit bregdetar. Vladimir Ajazi ka patur edhe detyrën e zëvendës trajnerit të ekipit kombëtar kur trajner ishte gjermani Brigel, zëvëndëstrajner i “Teutës” në vitet e lavdishme të saj në mesin e viteve 90-të, seleksionues i zonës së Durrësit për fidanishten e re të futbollit shqiptar.