Kryeministri Edi Rama nuk e mban mend mbledhjen e qeverisë të datës 17 dhjetor 2014, kur kaloi për miratim projektvendimi për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Kryeministri tha se i qendron vendimit, ndërsa sqaroi rolin e tij si shef i qeverisë. Rama tha se kryeministri delegon, ndërsa roli i tij është monitorues në aksionin “ku do shkojmë, çfarë do bëjmë si do e bëjmë”. Rama foli për përgjegjësi personale, ndërsa tha se nëse një nga hallkat ka gabuar, kjo ka ndodhur për shkak të tundimit të pushtetit.
Debati në Komision:
Edi Rama: Zonja Tabaku, opinioni juaj për amnezinë është personal, pyetjet tuaja duhet të lidhen me rolin tim si kryeministër. Unë jam gati për tu pyetur edhe për ato.
Jorida Tabaku: Ju kërkoj ti përgjigjeni pyetjeve
Edi Rama: Mos interferoni vokalisht, unë se kam zërin melodioz… Mos më ndërhyni znj. Tabaku. T’ju shpjegoj si funksionon. Nuk jam këtu të plotësoj nevojat tuaja.
Jorida Tabaku: Ju kujtohet mbledhja e 17 dhjetorit? Faleminderit.
Edi Rama: Unë se kam të qartë, unë kur isha qytetar nuk e kisha të qartë si funksionon mbledhja e qeverisë. Nuk ju vë faj se nuk keni qenë ndonjëherë në mbledhje qeverie. Për akte ligjore dhe nënligjore që fillon nga sektori bazë i cili është në nevojë për aktin në fjalë në kombinim rrugës edhe me sektorë të tjerë kalon në gjithë ato filtra dhe vjen te unë. Kryeministri është shumë thjesht “ku do shkojmë, çfarë do bëjmë si do e bëjmë”. Për këtë punë janë sekretari, ministrat, të gjithë kanë punët e veta. Mua më rezulton që është zbardhur në mënyrë shembullore vendimmarrja në anë ligjore. Pastaj për përgjegjësitë individuale përpara ligjit, për të cilat organi i hetimit identifikon ligjin është në tagrin e secilit. Nuk është në tagrin e qeverisë. Pushteti është i keq shumë, tundon të madh e të vogël. Siç thotë një fjalë “mishi është i dobët”. Mos më ndërprit të lutem… përgjigjia ime është për pyetjen tuaj.
Jorida Tabaku: Te përgjegjësia për mbledhjen e datës 17 dhjetor?
Edi Rama: Unë mund t’ju përgjigjem një për një. Por nuk ka rëndësi, unë i qëndroj vendimit, e mbaj apo se mbaj mend. Sikur a e mban mend kur u mblodhët aty dhe bëtë atë aferën kriminale, jo zonjë nuk e mbaj mend. Zonjë, nuk mbaj mend mbledhje qeverie. Mua mos më cito sipas qejfit (ngre zërin)
Jorida Tabaku: Me qetësi, me qetësi, zoti Rama.
Edi Rama: Nuk bën sens si pyetje, ju mos fyeni inteligjencën time, kam problem shumë të madh
Jorida Tabaku: Do përpiqemi.
Edi Rama: Përpiqu, nuk jam nervoz, kam problem me ofendimin e inteligjencës, e kam shumë problem. Zonjë mos më cito gabim, se këtu jeni ju që po bëni propagandë. Unë thashë, pyetja a e mban mend këtë mbledhje qeverie nuk bën sens sepse nuk i mbaj mend. ça të mbaj mend? Pse ta mbaj mend? çfarë është? Mbaj mend vetëm mbledhjen kur vumë foton e Ismail Qemalit, atë e mbaj mend vallaj. Pse ça është? A e mbani mend ju, kur?