Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës së ILD-së, për masën disiplinore ‘Vërejtje Publike’, për dy magjistratët M.L dhe F.G
Rikujtojmë se Këshilli i Lartë i Prokurorisë zhvilloi më datë 16 shkurt , seancën dëgjimore për shqyrtimin e procedimit disiplinor të kërkuar nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ndaj 2 (dy) magjistratëve M.L dhe F.G.
Seanca është mbajtur në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në prani të dy magjistratëve, përfaqësueses së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, znj. Elena Pelushi si dhe anëtarëve të Këshillit.
Në fjalën e tij hyrëse, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Gent Ibrahimi, pasi shpjegoi të gjitha veprimet e ndërmarra nga Komisioni Disiplinor lidhur me këtë procedurë, i dha fjalën përfaqësueses së ILD-së, për të pasqyruar parashtrimet.
Në kërkesën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë doli në përfundimin se të dy prokurorët, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kishin cënuar imazhin e prokurorit dhe besimin ndaj publikut. Për këtë arsye, ILD ka kërkuar masën disiplinore ‘ Vërejtje Publike’.
Pasi u njohën me kërkesën e ILD-së, dy magjistratët depozituan provat e tyre dhe më pas iu përgjigjën pyetjeve dhe komenteve nga anëtarët e Këshillit.
Edhe sot KLP ka dhënë vendimin duke rrëzuar me shumicë votash kërkesën e ILD-së, për masën disiplinore ‘Vërejtje Publike’, për dy magjistratët M.L dhe F.G.