– Ish-ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati ka folur rreth luftës që Rusia ka nisur në Ukrainë nga Rusia. I ftuar përmes Skype në edisionin e lajmeve në Top Channel, Bushati tha se paralajmërimet konsistente të Presidentit Biden gjatë gjithë kësaj periudhe për një pushtim të mundshëm të Ukrainës deri diku nuk u morën me seriozitetin maksimal nga ana e BE. Sipas Bushatit, rendi i sigurisë në Evropë po pushon së ekzistuari gradualisht për t’ia lënë vendin një rendi të ri, i cili në thelb duket se do të jetë konfrontues. I pyetur se çfarë pasojash mund të ketë për Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë ky zhvillim, Bushati tha se duhet të jemi të kujdesshëm dhe duhet të kordinojmë çdo qëndrim dhe veprim.
Pjesë nga intervista:
Top Channel: Z.Bushati a mendoni se ka zgjidhje kjo krizë kaq e rëndë?
Bushati: Jemi duke përjetuar një moment muzgu përsa i përket sigurisë europiane, e cila është një nensegment i rendit global, si pasojë e njohjes së dy rajoneve separatiste nga ana e Rusisë në Ukrainë dhe më pas si pasojë e pushtimit që Rusia i bëri Ukrainës. Më duhet të theksoj se ky nuk është akti i parë i Rusisë. Fillesat i kemi që në 2008 në Gjeorgji, më pas aneksimin e Krimesë dhe tanime pjesën e krahut lindor të Ukrainës. Duhet thenë që ka munguar disi qasja strategjike nga ana e Bashkimit Europian dhe paralajmërimet konsistente të Presidentit Biden gjatë gjithë kësaj periudhe për një pushtim të mundshëm të Ukrainës deri diku nuk u morën me seriozitetin maksimal nga ana e BE. Sot për sot jemi në një moment të ri që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe mund të thuhet pa mëdyshje që rendi i sigurisë në europë që ne jemi mësuar të kuptojmë dhe të jetojmë që pas rënies së Murit të Berlinit po pushon së ekzistuari gradualisht për t’ia lënë vendin një rendi të ri, i cili në thelb duket se do të jetë konfrontues. Nga rrjeti i konflikteve të ngrira që jemi mësuar të shohim, po shkojmë drejt konflikteve me natyrë kinetike.
Top Channel: Z.Bushati çfarë pasojash mund të ketë për Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë ky zhvillim?
Bushati: Natyrisht që ne nuk jemi një rajon në vijë të parë siç janë vendet kufitare me Ukrainën apo vendet baltike të cilët janë përballë mjë rreziku iminent. Kjo është arsyeja se pse një pjesë e vendeve anëtarë të NATO-s kanë thirrur në ndihmë procedurat që kanë lidhje me nenin 4 të Traktatit të ëashingtonit apo Traktatit të NATO që bën fjalë për cënimin e mundshëm të integritetit territorial të vendeve të NATO. Por, në Ballkanin Perëndimor ka dy vende siç janë Kosova dhe Bosnja që konsiderohen si projekte të papërfunduara përsa i përket shtetësisë dhe kjo është arsyeja pse duhet të jemi të kujdeshssëm dhe duhet të kordinojmë çdo qëndrim dhe veprim, sic kemi bërë deri më sot me partnerët tanë. Do të ishte shumë inkurajuese nëse BE-ja në një situatë të tillë do të njihte perspektovën europiane të Ukrainës dhe nga ana tjetër do merrte veprime konkrete për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Bosnjën!