Gazetarja ukrainase, Alyona Panina, ka bërë të ditur se qyteti jugor i Ukrainës, Kherson, është i “rrethuar” nga forcat ruse. Ky lajm është konfirmuar edhe nga kryebashkiaku i qytetit.
“Qyteti është në fakt i rrethuar, ka shumë ushtarë rusë dhe pajisje ushtarake nga të gjitha anët, ata vendosën pika kontrolli në dalje”, i tha televizionit Ukraine 24 të martën në mëngjes, gazetarja Panina.
Kjo e fundit shtoi gjithashtu se ishte e vështirë të sillej ushqim në dyqanet e qytetit, i cili ndodhet afër Odesës në Detin e Zi, pasi magazinat ndodhen jashtë qytetit. Energjia dhe uji ishin ende të lidhura në qytet, tha ajo.
Ndërkohë përmes një postimi në “Facebook”, kryetari i bashkisë së qytetit, Igor Kolykhayev, tha: “Ushtria ruse po vendos postblloqe në hyrjet e Khersonit. Kherson ka qenë dhe do të mbetet ukrainas”.