Mijëra shkencëtarë rusë dhe gazetarë të shkencës, kanë vënë emrat e tyre në një deklaratë si shenjë proteste kundër pushtimit “të padrejtë dhe të pakuptimtë” të Ukrainës. Deklarata u publikua në internet fillimisht në rusisht nga TRV Science. Kjo deklaratë u nënshkrua nga shkencëtarët kryesorë, duke përfshirë rreth 25 anëtarë të Akademisë së Shkencave Ruse. Ata thonë se faji për “shpalljen e një lufte të re në Evropë” është “plotësisht i Rusisë”.
“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të të gjitha operacioneve ushtarake të drejtuara kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Sipas shkencëtarëve, veprimet e Rusisë dhe sanksionet pasuese me të cilat përballet nga vendet e tjera nënkuptojnë se Moska “e ka dënuar veten në izolim ndërkombëtar”.
“Kjo do të thotë se ne, shkencëtarët, nuk do të jemi më në gjendje ta bëjmë punën tonë normalisht. Kryerja e kërkimeve shkencore është e paimagjinueshme pa bashkëpunim të plotë me kolegë nga vendet e tjera”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.