Presidenti Ilir Meta ka takuar homologen e tij të Kosovës, Vjosa Osmanin në Maltë, ku edhe po zhvillohet “Forumi Botëror për Kulturën e Paqen”. Me anë të një postimi në Facebook, krahas një fotoje me Osmanin, Meta shkruan se të dy kishin biseduar se vlerat dhe vizioni euro-atlantik i dy vendeve në një kohë të tillë ishte jetik. Po ashtu, kreu i shtetit shqiptar bëri thirrje edhe për anëtarësimin sa më të shpejtë të Kosovës në NATO.
“Si gjithmonë, shumë i lumtur të takohesha në Maltë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të shkëmbenim opinione mbi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve dhe vullnetin për t’i pasuruar ato më tej. Ritheksuam sa jetike janë vizioni i përbashkët dhe vlerat euro-atlantike që ndan Shqipëria dhe Kosova në këto momente sfidash rajonale, europiane dhe botërore. Kosova sa më parë në NATO, një përgjigje në të mirë të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit,”-tha Meta.