U arrestua për tenderin me uniformat e policisë, lirohet Edlira Naqellari

0

Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara në Ministrinë e Brendshme, Edlira Naqellari është liruar ditën e sotme nga burgu.

Burime bëjnë me dije se Naqellari ka përfunduar dënimin dhe vendimi për lirimin e saj u dha nga gjyqtari Erjon Çela.

Kujtojmë se ditën e djeshme Gjykata e Posaçme e rrëzoi kërkesën e saj për liri duke i shtuar dhe 24 orë, pavarësisht se sipas saj dënimi i dhënë me 1 vit burg ishte kryer.

Më 30 dhjetor Gjykata e Posaçme dënoi me nga 1 vit burg Naqellarin dhe 9 të akuzuarit e tjerë për abuzimin me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit.

Përveç dënimit me burg, për Drejtoreshën e Agjencisë gjykata vendosi edhe 5 vjet heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u arrestuan 8 muaj më parë pas një operacioni të udhëhequr nga SPAK lidhur me abuzimet për tenderin e uniformave të policisë në vitin 2020, vlera e të cilit arrinte në 25 milionë euro.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu