Nata e makthi ajo e “Bernabeut” për PSG-në. Jo vetëm humbja në ndeshjen e kthimit dhe eliminimi, por më pas në dhomat e zhveshjes ka patur konflikte, duke mos munguar edhe shpërthimi i pronarit Nasser Al-Khelaifi ndaj arbitrave.
Shtypi spanjoll raporton gjithashtu edhe për një sherr mes Donnarummas dhe Neymar, që për pak sa nuk shkoi në një konfrontim fizik.
Sipas “Marcas”, pas kthimit në dhomat e zhveshjes, në një klimë shumë të tensionuar, braziliani e ka akuzuar Gigio për të gjitha gabimet që ka bërë, veçanërisht për golin e parë. Të dy kanë vënë duart mbi njëri-tjetrin dhe vetëm ndërhyrja e shokëve e ka shmangur zënkën.
Ndërkohë, durimin e ka humbur edhe presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi. Numri një i klubit shkoi në dhomat e zhveshjes së bashku me Leonardon për të fajësuar gjyqtarin holandez Makkelie për një faull të mundshëm të Benzema ndaj Donnarumma në golin e parë të “los blancos”.
Kur arbitri u kërkoi atyre të largoheshin, ata bllokuan derën dhe presidenti goditi qëllimisht flamurin e njërit të asistentëve, duke e thyer atë.