Paga mesatare 60 mijë lekë/ Në fundin e vitit 2021 pagat pësuan rritje me 8.4%

0

Paga mesatare në Shqipëri ka arritur drejt 60 mijë lekëshit. Në tremujorin e katërt të 2021-it pagat pësuan rritje me 8.4%, një nga rritjet më të forta në pesë vitet e fundit. Por, kjo rritje në paga u zbeh nga inflacioni. Rritja e çmimeve ka gërryer gjysmën e rritjes në nivelin e pagës mesatare. Rritja e fortë e pagave erdhi nga kompanitë në fushën e “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit” dhe ato të “Informacionit dhe Komunikimit” që përfshijnë kompanitë teknologjike dhe ato të telekomunikacionit.

Në kontrast me kompanitë financiare pagat e të cilave janë dy herë më të larta sesa mesatarja kombëtare, në sektorin e bujqësisë pagat janë 40% më të ulëta, duke treguar se niveli i pabarazisë në paga në vend vazhdon të thellohet. Ndërkohë në administratën shtetërore paga mesatare ka arritur 70 mijë lekë, ndërsa në sektorin privat 54 mijë lekë.

Në vend profesioni më i paguar vazhdon të mbetet ai i deputetëve dhe nëpunësve të lartë të shtetit, ndërsa pas tyre vijnë specialistët me arsim të lartë sipas statistikave zyrtare. Tregu i punës po vazhdon të japë shenja mjaft të dobëta sa i përket rimëkëmbjes. Në tremujorin e katërt të vitit 2021 papunësia është rritur me 0.1% në krahasim me një tremujor më parë, pa mundur të mbajë ritmin pozitiv të uljes.

Shifra e papunësisë në vend vazhdon të mbetet dyshifrore në nivelin 11.4%, pa u rikuperuar nga goditja që i dha pandemia, por sërish vjen me ulje nga niveli i lartë prej 11.9% në fillimin e vitit. Alarmues është fakti se në bujqësi punësimi është ulur me 5,3% në krahasim me një vit më parë, ndërsa është rritur në sektorin e industrisë dhe shërbimeve. Sipas statistikave gati 60% e forcave aktive janë të punësuar, ndërsa sipas shifrave nga zyra e punësimit janë 25 mijë vende të lira pune, që nuk po plotësohen nga tregu vendas. Një faktor kryesor për këtë është emigrimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu