Për më shumë se një orë, në takimin që ka pasur me një grup pensionistësh, Edi Rama nuk ka lënë fyerje dhe lincim pa bërë për qytetarët që protestojnë kundër rritjes së çmimeve.
Të gjithë qëndrimin e qeverisë së tij, Edi Rama e justifikon me faktin e mos-rritjes së çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.
“Do kishte një zgjidhje kjo situatë sikur atyre që dalin atje t’ua çonim faturën e energjisë aq sa është në të vërtetë.
Por nuk e bëjmë dot. Atëherë do u dukej pompa e karburantit si biberon qumështi. Pyetini pak në Kosovë dhe Maqedoni si i kanë taksat dhe sigurimet shoqërore. Çdo dardhë e ka bishtin mbrapa”, tha Rama.
Ai deklaroi se duhet pak respekt për ata që e kanë luftën në kokë pasi ende nuk dihet si mund të shkojë kjo situatë.
“Po ta dinim se lufta do mbarojë shpejt ne nuk e bënim paketën kështu. Nuk e dimë si shkon kjo punë. Prandaj duhet pak respekt për ata që e kanë luftën në kokë.
Shqipet që fluturojnë lart në krahët e paturpësisë fatkeqësisht janë pakicë e pakicës. Si ia kemi dalë me tërmetin dhe pandeminë do ia dalim edhe me këtë dhe turpi do iu mbetet atyre që po e bëjnë këtë gjë sot”, u shpreh ai.
Më herët ai tha se nuk ka asnjë protestë të kësaj natyre, dhe kundërshtarë që mund ta rrëzojnë nga pushteti.
“Ne jemi këtu për ju, jo për ata që na thuhen. Ju betohem që po të ishte për këta dhe për hallet e tyre, që dalin atje, jo kaq vite por një orë nga jeta ime nuk e falja për të bërë këtë punë. Këta nuk e dinë çfarë është të bësh këtë punë. Nuk e dinë çfarë është ndjenja e detyrimit ndaj atyre që të duan të parë për të udhëhequr. Këta flasin për lekë e vjedhje sepse janë të atillë.
O janë hajduta, ose do ishin hajduta po të ishin në vendin tim. Nuk mund ti thuash tjetrit hajdut kur nuk ke as fakt as provë dhe nuk e njeh kush është tjetri. Për mua është një barrë e jashtëzakonshme borxhi ndaj të gjithë atyre që kanë shënuar një herë “Edi Rama”.
Kush më njeh, e di shumë mirë, jo sot por kur isha askushi, kam qenë aq i gjatë sa nuk ulesha kurrë për të futur duart në xhepin e askujt deh që i vogël e kam mësuar nga gjyshja ime që kur shkon në varr, nuk bëjnë punë lekët. Dheu bën më shumë punë se leku. Këtë nuk e kuptojnë këta dhe nuk kam çfarë ti shpjegoj.
Sa kohë të jem në këtë detyrë e vendosni o ju, o unë. Këtë e vendos vetë nëse them që nuk mund të jem më në lartësinë e besimit tuaj se nuk kam më energjinë e nevojshme ose ju të thoni shko në shtëpi, kurse këta të vazhdojnë, por përtej të tërave, të gjitha protestat që në 1990 deri tek e para e kësaj e kanë pasur një gjë, pra kanë qenë të denja.
Kjo protestë që është turpi i Shqipërisë dhe mund të vazhdojë edhe 4 vjet, deri në 2025 por taksë nga nafta nuk kanë për të hequr dot, kaq po ju them këtyre. Këtë turp që ia vënë në kurriz Shqipërisë, do ta mbajnë gjatë këta në fytyrën e tyre”, tha më tej kreu i qeverisë.