Vëllezërit Luka morën ‘hak’ ndaj kuzhinierit Indrit Çela për shkak të një konflikti që kanë pasur 5 muaj më parë. Mësohet se konflikti ka nisur fillimisht mes kunatit të Çelës dhe vëllezërve Ernest dhe Donald Luka për parakalim të gabuar. Kunati i kuzhinierit dhe një person tjetër rrahën fillimisht me mjete të forta dy vëllezërit për shkaqe banale, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe Çela. Sipas policisë, në këtë sherr Çela nuk ka qenë person kyç, por kunati i tij. Ditën e rrahjes brutale të Çelës, vëllezërit Luka kanë pasur informacion se ai do të lëvizte, ndërsa e kanë pritur dhe e kanë rrahur.
Mbetet e paqartë pse dy vëllezërit kanë rrahur Çelën pasi ai nuk ka qenë autori kryesor i rrahjes së para pesë muajve.
Kuzhinieri i njohur u dhunua dy ditë më parë në zonën e njohur si Ura e Gjolës në Fushë Krujë. Indrit Çela ishte duke udhëtuar me makinën e tij tip Smart me targa AA 062 LR, por në një moment i kanë prerë rrugën dhe e kanë nxjerrë zvarrë me dhunë nga 2 vëllezërit, të cilët me grushta dhe me një levë hekuri e kanë dhunuar brutalisht, ndërkohë që në mjet me të ka qenë dhe bashkëshortja e tij. Në momentin që në spital mbërriti Policia, 39-vjeçari deklaroi se në fakt thjesht kishte bërë një aksident me makinë dhe në asnjë moment nuk ka pranuar që të jetë rrahur.
Indrit Çela është emër i njohur për publikun i cili ka marrë pjesë në emisionet e gatimit në televizione të ndryshme së bashku me mikun e tij, Alfio Rrotani. Të dy kanë qenë pjesë e emisionit “MasterChef Albania”, e së bashku kanë qenë pronarë të një restoranti në qendër të Tiranës. Por përveç Çelës, emri i Alfio Rrotanit kohët e fundit gjithashtu është përfshirë në një skandal në lidhje me një tender 400 mijë dollarë të dhënë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Për këtë ngjarje është nën hetim kreu i FSHZH, Dritan Agollin, i cili akuzohet se i dha 400 mijë dollarë kuzhinierit Alfio Rrotanit, që punonte si shef kuzhine në restorantin e djalin e tij. Hetimet për këtë ngjarje kanë nisur nga SPAK.