Presidenti francez Emmanuel Macron do të flasë me homologun e tij rus Vladimir Putin për të diskutuar termat dhe kushtet e një operacioni të jashtëzakonshëm humanitar për evakuimin e civilëve në Mariupol. CNN shkruan se këtë gjë e ka bërë të ditur vetë Macron gjatë një konference për shtyp me gazetarët.
“Kemi pasur diskutime shumë konkrete sot me kryebashkiakun e Mariupolit dhe autoritetet përkatëse ukrainase. Më pas do të negociojmë me palën ruse,” u tha Macron gazetarëve në Bruksel pas një samiti të BE-së.
Sipas Macron operacioni do të kryhet me Turqinë dhe Greqinë për të evakuuar civilët që duan të largohen nga qyteti i rrethuar. Gjatë thirrjes Macron-Putin, Franca do t’i kërkojë Rusisë të heqë rrethimin e Mariupolit, në mënyrë që civilët që dëshirojnë të largohen të mund të evakuohen dhe ndihma humanitare të mund të hyjë për ata që zgjodhën të qëndrojnë, saktësoi Pallati Élysée pas konferencës për shtyp.