Tentuan të arratisen, Mici dhe Idrizi i vunë flakën Komisariatit në Kamëz, 2 policë në pranga

0

Arben Mici së bashku me të ndaluarin tjetër, Dilaver Idrizin i vunë flakën rrobave me çakmak në qelinë e paraburgimit në Komisariatin e Kamzës. Dy të paraburgosurit kishin bërë plan për t’u arratisur e kishin menduar që të krijonin kaos me djegien e rrobave e të dyshekut ku flinin, duke tentuar arratinë. Mirëpo plani i tyre mori kthesë tjetër, duke lënë njërin prej tyre të vdekur e tjetrin të asfiksuar e me plagë në trup…

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Rreth orës 18:00, Arben Mici 26-vjeç ishte rikthyer në qelitë e Komisariatit nr 5. Ai akuzohej për dhunë në familje dhe ishte në një dhomë me Dilaver Idrizin, 62-vjeçarin që akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, pasi hodhi bashkoëshorten e tij nga ballkoni i katit të tretë të pallatit ku jetonin. Dilaver Idrizi është njohur të premten me masën e sigurisë “arrest me burg”, por edhe ky priste ekzekutimin e urdhrit dhe duke qenë fundjavë ishte rikthyer në qelitë e komisariatit të Kamzës.

Ishte ora 21:00 kur totalisht në shkelje të ligjit, Mici është lejuar të ndezë një cigare dhe të dalë në korridor. Në një moment, ai është kthyer në qelinë e izolimit dhe i ka vënë flakën dyshekut me çakmakun që iu la për të ndezur cigaren. Më pas ka dalë që aty dhe me shpejtësi është futur në banjo me shpresën se efektivët do të hutohen nga zjarri e ai do të kishte mundësinë të arratisej. Por nuk ia doli dot. Dhomat e izolimit në komisariatin numër 5 janë në katin e nëndheshëm, bodrum e nuk kanë dritare. Dhomat e reja të izolimit janë ndërtuar por nuk janë vënë në funksion vetëm se mungonte një zgarë hekuri.

Për pasojë djegia e sfingjerit të dyshekut ka bërë që i gjithë kati të mbushet nga tymi e 26-vjeçari u bllokua në tualet ku dhe u gjet i vdekur si pasojë e asfiksisë. Dëme të mëdha ka pësuar edhe Dilaver Idrizi. Duke qenë se po shikonin ndeshjen, efektivët kanë ndërhyrë me vonesë. Konkretisht ka qenë inspektori Hajredin Boja ai që është futur në bodrume, por ka mbetur edhe vetë i plagosur.

Kush ishin të shoqëruarit?

26-vjeçari Arben Mici në vetëm dy muajt e fundit ishte shoqëruar mbi 22 herë në polici. Ai është denoncuar nga nëna e tij për dhunë, të cilën e rrihte vazhdimisht. Lajmin familja e tij e ka marrëvesh sot nga policia dhe kanë hapur dyert e mortit. Konkretisht, i ati ka treguar përpara kamerave se ishte nisur t’i dërgonte rrobat në komisariat kur ishte informuar për ngjarjen.

62-vjeçari Dilaver Idrizi akuzohet për vrasje të mbetur të tentativë. Ai hodhi gruan e tij nga ballkoni i katit të tretë të pallatit ku dhe jetonin, por dëshmoi se ajo ra vetë, duke varur rrobat. Idrizi kërcënoi dhe të shoqen duke e bindur që të thoshte të njëjtën gjë para uniformave blu, por vajza e çiftit zbuloi të gjithë ngjarjen.

Efektivi Hajredin Boja dhe i paraburgosuri Dilaver Idrizi ndodhen në repartin e djegieve plastike në QSUT-të, në gjendje delikate por jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitë e tyre për ngjarjen, pritet të hedhin më tepër dritë mbi atë çfarë ka ndodhur brenda mureve të komisariatit nr.5.

Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore vuri në pranga dy inspektor policie, Fatmir Isufi eHajredin Bojën që mbeti i plagosur. Gjithashtu ka nisur procedimi penal për dy inspektorët e tjerë, Lutfi Muça e Mark Marashi si dhe komisarin Ylli Çollaku. Të gjithë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën duke mos marrë masa në parandalimin e ngjarjeve të tilla dhe mosdhënie ndihme.

Nga ana tjetër, kjo ngjarje nxjerr në pah një tjetër problem, kushtet në dhomat e izolimit në komisariat që janë shumë të rënda. Avokati i Popullit bën thirrje për përmirësim të kushteve të paraburgimit. Përmes një reagimi zyrtar, zyra e Avokatit thotë se ka rekomanduar masa mbi ndërtimin e ambienteve të sigurisë, mjediseve të veçanta për të miturit, pajisjen me orendi bazë, pajisjen me sistem ngrohjeje për stinën e ftohtë, pajisjen me sistemin e sinjalizimit me zile për raste emergjente, pajisjen me sistemin e monitorimit me kamera, si dhe kushte të tjera”. Vetëm dy javë më parë, për komisariatin e Kamzës, Komiteti Shqiptar i Helsinkit paraqiti një raport për kushtet e trajtimit të të arrestuarve. Po ashtu, Këshilli i Europës ka ngritur shpesh alarmin për mbipopullimin e burgjeve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu