Rrëshqitje gurësh dhe inertesh në aksin Elbasan-Librazhd.
Reshjet e shiut kanë provokuar sërish rrëshqitje gurësh dhe inertesh në aksin Elbasan-Librazhd.
Në vendin e quajtur ‘Kthesat e Murrashit‘ gurë dhe shkëmbinj kanë rrëshqitur nga malet duke bllokuar njërën anë të rrugës.
Për pasojë është vështirësuar qarkullimi i automjeteve.
Në vendngjarje kanë shkuar mjete të firmës së pastrimit që po punojnë për zhbllokimin e rrugës.
Gjithashtu edhe punonjës të policisë rrugore po normalizojnë trafikun.
Mësohet se për shkak të bllokimit, radha e automjeteve ka qenë e gjatë në të dy kahet e rrugës Elbasan-Librazhd.
Kujtojmë se në Kthesat e Murrashit‘ kanë ndodhur një sërë aksidentesh me vdekje si pasojë e rrugës së vështirë.
Së fundmi ka një projekt të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, por që do ende kohë që të normalizojë situatën duke ndërhyrë në shpatet e maleve.