Pas më shumë se dy vjetësh punë të palodhur dhe dhjetëra mijëra dollarë të investuar në start up-in e tij, sipërmarrësi rus i teknologjisë, Sergei Krupnik, filloi të shihte një shkëlqim drite në fund të tunelit.
Projekti – i cili ka analogë të suksesshëm në perëndim si SkiBro – kishte filluar të dukej ekonomikisht i qëndrueshëm dhe ai po përgatitej të kërkonte investime për të rritur biznesin, shkroi ai.
Pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt ndryshoi gjithçka.
Vendet perëndimore vendosën sanksione dërrmuese ndaj Rusisë për sulmin e saj të paprovokuar dhe kompanitë e huaja filluan të tërhiqen nga vendi, duke e vendosur ekonominë e saj në rrëmujë dhe duke i bërë investimet në sektorin e teknologjisë, jotërheqëse.
Tri ditë më vonë, duke parë një të ardhme të zymtë në shtëpi, Krupnik ngriu projektin e tij dhe më 9 mars ai iku në Turqi.
“Imagjinoni rezultatin e dhjetë vjetëve punë të ndershme dhe të palodhur në Rusi dhe në një vend të zhvilluar. Në cilin rast do të ishit më mirë? Nuk dua të vrapoj më vetëm për të qëndruar në vend. Unë nuk do t’i kaloj 10 vjetët e mia të ardhshme në Rusi”, shkroi ai, duke shtuar se emigracioni kishte qenë në mendjen e tij prej kohësh për shkak të klimës së dobët të investimeve në vend dhe mungesës së fjalës së lirë.
Krupnik është vetëm një nga dhjetëra mijëra punonjës dhe sipërmarrës rusë të IT-së që kanë ikur nga atdheu i tyre që nga fillimi i luftës.
Eksodi vazhdon, dhe mund të ketë pasoja të thella për rritjen ekonomike afatgjatë të Rusisë dhe sigurinë kibernetike, thonë ekspertët.
Artyom Saprykin, një zhvillues softuerësh 28-vjeçar nga Ufa, kryeqyteti i rajonit të Bashkortostanit në Vollgë, tha për Radion Evropa e Lirë se iku në Armeni më 15 mars, duke ndjekur gjurmët e shumë miqve.
“Unë nuk shoh më perspektivë në Rusi. Me një grup sanksionesh të tilla, [Perëndimi] ka vënë në thelb një gozhdë në arkivolin e industrisë ruse të IT-së”, tha Saprykin.
“Nuk do të zhvillohet, vetëm do të ngecë”.
Disa nga sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera synojnë industritë bankare dhe të teknologjisë së Rusisë, duke përfshirë ndalimin e eksportit të mikroprocesorëve kritikë për informatikë.

Ndërkohë, firmat kryesore të teknologjisë si Apple, Samsung, Microw, Oracle dhe Cisco – mallrat dhe shërbimet e të cilave janë thelbësore për sektorin e teknologjisë – kanë njoftuar se do të tërhiqen ose ndalojnë operacionet në Rusi.
Muajin e ardhshëm 100 mijë?
Mes 50,000 dhe 70,000 punëtorë të teknologjisë janë larguar nga Rusia që nga fundi i shkurtit, tha kreu i Shoqatës Ruse të Komunikimit Elektronik, Sergei Plugotarenko, në një seancë parlamentare më 22 mars kushtuar ndihmës së industrisë së IT-së për të përballuar krizën ekonomike të shkaktuar nga lufta dhe sanksionet.
Ai paralajmëroi se një “valë e dytë” prej rreth 100,000 specialistësh të IT-së mund të largohet muajin e ardhshëm.