Kryeministri Edi Rama e quajti “turp kombëtar”, presidentin e Republikës, Ilir Meta. Gjatë fjalës së tij në përmbyllje të punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste, Rama duke iu përgjigjur indirekt njoftimit të presidentit se do të nisë një tur kombëtar para largimit nga detyra, tha se edhe Gjykata Kushtetuese e cilësoi si “turp kombëtar”.
Sa i përket atij që ju e quani president dua të nënvizoj se gjykata Kushtetuese pranoi se kishte shkelur kushtetutën. Por dua të shtoj se Ilir Meta si president është një turp kombëtar. Se çfarë bën pastaj pasi të ikë nga presidenca nuk më intereson. Por më intereson që koha e Ilir Metës të mbarojë sa më shpejt dhe të ikë nga ajo zyrë dhe ky turp të mbesë në të kaluarën. Nuk kam problem për turet që njofton ai, se është një turp.
Edi Rama, kryeminister
Më herët, presidenti Ilir Meta tha se do të ngrejë një komitet për hetimin e Inceneratorëve ndërsa shtoi se me ironi se i frymëzuar nga procesi i “Këshillimit Kombëtar” do të nisë një tur llogaridhënieje nëpër Shqipëri.
Si president do të ndërtojë një komitet për hetimin e aferës së inceneratorëve, me njerëz me integritet të kualifikuar, përmes takimeve e konferencave. Nuk ka bërë asgjë më shumë mafia në Siçili sesa këtu. Të jeni të sigurt se ata persona që janë shpallur në këtë aferë janë vetëm instrumenta. I frymëzuar nga Këshillimi Kombëtar, do të nis shumë shpejt një tur llogaridhënie përveç komitetit të transparencës të organizatës së inceneratorëve.
Ilir Meta, president