Presidenti i Partisë për Drejtësi dhe Pajtim (SPP) në Serbi, Usame Zukorliç, tha më 10 prill se analizat e dy laboratorëve të huaj tregojnë se babai i tij, themeluesi i partisë dhe ish-myftiu i Sanxhakut, Muamer Zukorliç, nuk ka vdekur nga shkaqe natyrale.
Duke iu drejtuar publikut, ku morën pjesë familjarë të shumtë, ai tha se në ato laboratorë kanë dërguar mostra për analizë dhe se rezultatet janë bazë për dyshimin se Zukorliç ka qenë i helmuar.
“Laboratori i parë përcaktoi se ekziston një probabilitet i lartë që personi i testuar të ishte helmuar me metale të rënda. I dyti arriti në përfundimin se në bazë të mostrës që ata morën, personi ishte helmuar me ushqim,” tha Usama Zukorliç.
Ai nuk saktësoi se për cilët laboratorë bëhet fjalë dhe as nga cili shtet, duke bërë të ditur se familja do të informojë publikun për gjithçka në kohën e duhur. Ai shtoi se do të nisin një hetim para autoriteteve gjyqësore për të “përcaktuar përfundimisht shkakun e vdekjes” së Muamer Zukorliçit, i cili ishte nënkryetar i Parlamentit serb. Lidhur me këtë lajm ka reaguar zëvendëskryeministrja e Kosovës nga rradhët e komuniteteve, Emilja Rexhepi. Rexhepi që ka qenë e afërt me Zukorliçin, ka thënë se është e tronditur me informatat e reja mbi vdekjen e tij.
“Shpresoj që organet kompetente të zbulojnë dhe të përcaktojnë shkakun e saktë të vdekjes, dyshimi është i madh. Dëmi është i pariparueshëm!”, shkroi ajo në Facebook.
Ish-myftiu i Sanxhakut dhe lideri i Partisë për Drejtësi dhe Pajtim, Muamer Zukorliç, ka vdekur më 6 nëntor 2021 në moshën 51-vjeçare. Si shkak i vdekjes u përmend një sulm në zemër.
Marrë nga REL