Pas publikimit të raportit të përvitshëm për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, Sekretari i Shtetit Antony Blinken foli me tone të zymta.
“Kthimi pas (për respektimin e të drejtave të njeriut) fatkeqësisht vazhdon”, tha Sekretari Blinken, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Shohim se çfarë lë pas kjo valë, trupa, duar të lidhura, të braktisur nëpër rrugë; teatro, stacione treni, godina banesash të shndërruara në rrënoja me civilët brenda tyre”,- tha kryediplomati amerikan, ndërsa Rusia vazhdon me mizoritë sistematike dhe në masë të gjerë në Ukrainë.
Për Rusinë, raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2021 nënvizoi dhunën e ushtruar ndaj kritikëve të Kremlinit dhe burgosjen e tyre. Vetëm këtë javë, një nga kundërshtarët kryesorë të Presidentit rus Vladimir Putin dhe një kritik i vendimit të Putinit për të pushtuar Ukrainën, Vladimir Kara-Murza, u arrestua dhe u ndalua në Moskë.
Të tjerë, përfshirë Alexei Navalnin, i cili u helmua dhe u burgos, renditen si shembuj të privimit arbitrar të jetës nga Rusia dhe hakmarrjeve të motivuara politikisht kundër individëve brenda dhe jashtë vendit.
“Qeveritë po burgosin më shumë kritikë. Sot, më shumë se një milion të burgosur politikë mbahen në mbi 65 vende”, tha Sekretari Blinken.
“I bëjmë thirrje Rusisë që të ndalojë abuzimin e ligjeve represive” për të vënë në objektiv qytetarët e saj, protestuesit jo të dhunshëm dhe paqësorë, si dhe individët që nuk po bëjnë asgjë më shumë se mbrojtjen e të drejtave të tyre universale, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price gjatë një konference për shtyp të martën.
Edhe përpara se të fillonte sulmi i Rusisë, Departamenti i Shtetit tha se sulmi i Moskës në vitin 2014 dhe aneksimi i Gadishullit të Krimesë të Ukrainës ka patur një efekt të rëndësishëm negativ në situatën e të drejtave të njeriut.
“Qeveria ruse vazhdoi të armatoste, stërviste, drejtonte dhe luftonte përkrah forcave separatiste të udhëhequra nga Rusia në Ukrainën lindore. Autoritetet gjithashtu kryen arrestime, ndalime dhe gjykime të motivuara politikisht të qytetarëve ukrainas në Rusi, shumë prej të cilëve pretendojnë se janë torturuar”,-thuhet në raport.
Për Kinën, Departamenti i Shtetit tha se “gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit” ndaj ujgurëve kryesisht myslimanë dhe anëtarëve të grupeve të tjera të pakicave etnike dhe fetare në Xinjiang kanë vazhduar, me “arrestime masive të më shumë se një milion ujgurëve” dhe grupeve të tjera të pakicës myslimane në kampe internimi jashtëgjyqësore dhe dy milionë të tjerë që i nënshtrohen “riedukimit” gjatë ditës.