Dita e 55-të e luftës në Ukrainë hapet me fillimin e “ofensivës” nga trupat ruse në Donbass. Guvernatori ukrainas i rajonit të Lugansk, situatën e ka quajtur “ferr”. Më parë ushtria ruse mori Kremina, duke qëlluar mbi civilët e arratisur dhe duke shkaktuar katër të vdekur. Ndërkohë Mariupol, i rrethuar prej mbi një muaji, nuk dorëzohet por kryebashkiaku denoncon: “40 mijë civilë jane dëbuar”.
Moska po vijon sulmet në zonat perëndimore të Ukrainës, duke gjuajtur raketa në rajonin e Lviv që la pas gjashtë vdekje, duke përfshirë një fëmijë.
205 fëmijë janë vrarë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Këtë e ka bërë të ditur Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës në përditësimin ditor të buletinit të luftës, duke shtuar se 367 fëmijë janë lënduar që nga fillimi i luftimeve.
“Nëse shkoj në Kiev, do të jetë për të bërë një ndryshim, për të sjellë diçka të dobishme. Thjesht për të treguar mbështetjen time, nuk kam nevojë të shkoj atje.” Kështu presidenti francez, Emmanuel Macron, iu përgjigj ftesës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili e kishte ftuar atë në kryeqytet për të parë me sytë e tij se ajo e Moskës “nuk është një luftë, por një gjenocid”. Macron shtoi se ai kishte folur rreth 40 herë me Zelensky që nga fillimi i luftës me Rusinë.
Shtetet e Bashkuara mund të shpallin sanksione të reja kundër Rusisë në ditët në vijim. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, duke përsëritur se Joe Biden nuk do të shkojë në Ukrainë. Për arsye sigurie, detajet e udhëtimit presidencial në vendin e pushtuar nga rusët nuk do të bëhen të ditura.