47 vite të dhimbshme agonie dhe ndarjeje mes nënës e birit. Historia e Hekries dhe Altinit, përloti të pranishmit në “Ka Një Mesazh Për Ty”. I shkëputur nga krahët e Hekries që kur ishte ende i vogël dhe ajo e njihte me emrin Rudin, Altini u birësua nga një familje në Durrës që e rriti me shumë dashuri.
Nga ana tjetër, zemra e Hekries digjej për vite me radhë, në kërkim të djalit të saj, për të cilin i thanë se kishte vdekur. Ardhja në jetë e tre fëmijëve të saj, dy prej të cilëve ndajnë të njëjtën ditëlindje me Altinin dhe djali i dytë ngjason me të, nuk ia largoi kurrë mungesën e tij.
Në “E diela shqiptare” në Tv Klan, nënë e bir shohin për herë të parë pas 47 vitesh njëri-tjetrin dhe rigjejnë veten në një përqafim të përmallshëm, që u deshën dekada të vinte.
Hekria: Kur kam shkuar për herë të fundit që do bënte 4 vjetët, roja i portës më tha “po pse ke ardhur?”, i thashë “të takoj Rudinin”. “Nuk është Rudini, Rudini ndërroi jetë”, tha. Nuk e dija se ku isha… që unë për atë Rudin jetoja. Edhe pse më tha kështu, mua sikur më ngrohej këtu, një zë më thoshte që “jo”. I thashë “më jep ndonjë dokument, të shikoj ku është djali”, tha “jo, ik e mos hajde më”. Ika.
Ky është një nga momentet rrënqethëse të historisë së Hekries, teksa Altini apo Rudini i saj po dëgjon se si rrethanat dhe kthesat e forta të jetës e kanë ndarë nga gjiri i nënës së tij. Por lutjeve të saj iu përgjigj një i njohur, i cili i zbuloi një takim krejt të rastësishëm.
Gjatë kësaj kohe, kalojnë vitet, u futa dhe në punë, më rrinte mendja te Rudini. Plasi eksodi i ‘90’s, kam pasur një komshi afër në Kavajë. ’90-’93 ka qenë kur vjen pas 3 vjetësh ky komshiu e më thotë “hajde të të them një fjalë të mirë. A e di se unë kam udhëtuar me Rudinin në një anije, me djalin tënd?”, i thashë ‘’çfarë thua”? , tha “kam udhëtuar me djalin tënd deri në Gjermani, ai ka ikur në Lion të Francës dhe unë ndenja në Gjermani’, kujton nëna momentin tronditës kur mësoi se i biri ishte gjallë.
Ardit Gjebrea: Kujt i ngjan?
Hekria: Lorenci i dytë. Unë nuk e di, po shoh ëndërr, nuk më besohet. E gjeti Hekria Rudinin, nuk e di. Kam vuajtur shumë. Do bëjmë muhabet bashkë do ti tregoj të gjitha, çfarë ka hequr kjo nënë vetëm të kërkoj Rudinin. Si e ka, Altin?
Ardit Gjebrea: Altin.
Hekria: Ta gëzojë, ia ka vënë nëna e vet, e falenderoj me shpirt, që ka rritur djalin tim dhe djalin e vet, që nuk është vetëm i imi. Unë e linda, ajo nënë është nëna me e dashur për të që e ka rritur, sepse jam nënë vetë. E falenderoj me shpirt dhe bravo i qoftë. Altin, Rudin dy emra unë nuk mund t’i harroj kurrë. Altin i mamit tënd që të rriti dhe Rudini im që të linda. Shpirti im! Rudini im ti! Zemra ime ti! E kam ëndërr, është ëndërr! Shpirti im ti, të kam pritur 47 vjet!/tvklan.al