TIRANË- Gazetari Artan Hoxha ka përfunduar dëshminë e tij të dhënë në prokurori në Belgjikë, për ku u nis paraditen e sotme. Në një postim në Facebook, Hoxha shkruan se ka dëshmuar për rreth katër orë në lidhje me dosjen e ‘Toyota Yaris’, por shton me humor se nuk mban mend asgjë nga ato çfarë janë thënë brenda mureve të organit të akuzës në Bruksel. Gazetari thotë se zyrat kishin pamje fantastike e se atje e kanë pritur mirë.
“Ne zyrat qendrore te Policise Gjyqesore Federale te Belgjikes… Me priten mire mor vellezer, gjynah te qahem. Nga zyrat prej xhami te oficereve federale belg, Brukseli kishte nje pamje fantastike… Kater ore brenda me federalet, per çeshtjen “Toyota Yaris”. Por se ç’u tha dhe se ç’u be aty brenda, as degjova gje dhe as mbaj mend gje…po fare, fare. Kaq kisha….Edhe keta federalet e Brukselit kisha mangut, se nuk me dalin prokuroret e SPAK-ut, apo prokurorite e rretheve gjyqesore te Shqiperise!!!! Gjithsesi, me duket se me mire do te behet…,”- shkruan Hoxha në postimin e tij.
Çfarë është çështja “Toyota Yaris”?
Kjo çështje është bërë si fillim publike nga Lulzim Basha, i cili akuzoi kreun e Grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla si të përfshirë në marrjen e miliona eurove. Basha tha se në vendin tonë do të vinin 5 milionë euro, por në fakt në Portin e Durrësit u numëruan vetëm 3 milionë e 470 mijë euro. Deklarata e Bashës ndryshoi itinerarin pasi makinat që supozoheshin të niseshin nga porti i Ankonës, devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit drejt Durrësit. Balla e fitoi edhe gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje.
Fillimisht për këtë dosje u arrestuan gjashtë persona, por të gjithë u liruan përveç Elvis Vladit dhe shoferit të kamionit Agim Ceka. Vladit iu dha vetëm një vit e gjysmë burg për veprën penale të mosdeklarimit të parave në kufi, duke sfumuar akuzën fillestare “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Për të njëjtën çështje është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg edhe Agim Ceka i cili u gjykua për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Çeka ishte shoferi i kamionit.
Në shkurt të këtij viti, belgët erdhën në Shqipëri dhe pritën për dy orë e 20 minuta ishkryedemokratin Lulzim Basha, i cili u mor në pyetje nën cilësinë e personit në dijeni. Në qendër të hetimeve është edhe një grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastron para me ndihmën e disa zyrtarëve, por ende nuk janë zbardhur detaje apo emra të personave të përfshirë.