Me anë të një postimi në Facebook, Kushi shkruan se fushat prioritare janë mësuesia, inxhineria, matematika, veterineria dhe shkencat natyrore.
Minsitrja e Arsimit Evis Kushi ka bërë me dije se ditën e sotme kanë miratuar programet e studimit prioritet kombëtar si dhe mbështetjen financiare. Me anë të një postimi në Facebook, Kushi shkruan se fushat prioritare janë mësuesia, inxhineria, matematika, veterineria dhe shkencat natyrore. Për studentët që do të vazhdojnë këto degë dhe që janë me mesatare të lartë do të përjashtohen nga tarifa si dhe do të kenë bursë mujore.
Postimi i Plotë:
Sot miratuam në Këshillin e Ministrave programet e studimit prioritet kombëtar dhe mbështetjen financiare për studentët e shkëlqyer dhe studentët që zgjedhin këto programe në universitetet publike. Programet prioritare të detajuara lidhen me disa fusha të shkencave humane, mësuesi, shkenca natyrore, matematikë, statistikë, inxhinieri, bujqësi, veterinari, shërbime, etj. Studentët që përfitojnë përjashtim tarifash dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale janë: – Studentët me notë mesatare minimumi 8.5, që zgjedhin një nga programet prioritare; – Studentët me mesatare 10 përgjatë 3 viteve të shkollës së mesme dhe mesatare mbi 9.5 në provimet e maturës; – Studentët që kanë fituar 1 nga 3 vendet e para në olimpiada ndërkombëtare, me mbi 15 vende pjesëmarrëse, nëse zgjedhin programe që lidhen me fushën ku kanë marrë çmimin. Suksese të gjithë maturantëve që do të përfitojnë nga ky vendim!





