Një gjeneral për president/ Nga mbledhja e firmave të deputetëve tek dorëzimi i emrit dhe votimi në Kuvend, çfarë pritet të ndodhë sot

0

Mbrëmjen e djeshme, pas një mbledhje të kryesisë së PS që zgjati disa orë, kryeministri Edi Rama bëri publik emrin Bajram Begajt si kandidat për postin e presidentit.

Menjëherë pas propozimit të bërë, Begaj u prit nga Rama në kryeministri, ku shprehu vlerësimin për propozimin e emrit të tij dhe u shpreh se do të përpiqej të ishte në lartësinë e figurës.

Ndërsa ditën e sotme në orën 10:00 pritet të mblidhet grupi parlamentar i PS, për të mbledhur firmat e nevojshme që nevojiten për propozimin e knja kandidati për president. Duhen së paku 20 firma, por socialistët kanë deklaruar se do të jenë të gjithë deputetët e grupit parlamentar që do të firmosin pasi Begaj do të jetë kandidatura e vetme e propozuar për president nga ana e PS.

Në orën 12:00 përfundon afati i fundit i vendosur nga Kuvendi për dorëzimin e kandidaturave për president, në raundin e katërt pas dështimit të tre raundeve të mëparshme.

Pas dorëzimit në Kuvend, në orën 16:00 pritet mbledhja e komisionit të ligjeve ku do të vlerësohet nëse kandidati i propozuar i përmbush kriteret ligjore dhe kushtetuese për postin e presidentit.

Kuvendi do të organizojë seancën e jashtëzakonshme plenare për votimin e presidentit, në raundin e katërt, pas dështimit të tre raundeve të para, ku duket se tashmë Bajram Begaj do të jetë kandidati i vetëm për postin e kreut të shtetit.

Tashmë PS i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur kreun e shtetit, pasi në raundin e katërt, kjo është e mundur me një shumicë prej 71 votash të deputetëve. Ndërkohë, opozita, ka bërë të qartë se nuk do të votojë propozime të bëra nga PS dhe qëndrimi mbeti i njëjtë edhe pas propozimit të Bajram Begajt si president i ardhshëm.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu