Policia Ushtarake do të jetë strukturë mbështetëse dhe jo strukturë e parë që ka përgjegjësinë për mbrojtjen e pronës ushtarake.
Pronat e ushtrisë do të ruhen me roje fizike, grupe kontrolli, siguri fizike, rrethim të jashtëm etj., ndërsa Policia Ushtarake do të veprojnë vetëm nëse e kërkojnë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes. Gazetari Adriatik Doçi shkruan për Shqiptarja.com se Policia Ushtarake do të jetë strukturë mbështetëse dhe jo strukturë e parë që ka përgjegjësinë për mbrojtjen e pronës ushtarake.
Ndryshimet parashikojnë që personali i Policisë Ushtarake do të mbajë përgjegjësi edhe për mosveprime me pasoja penale.
“Nga eksperienca e deritanishme nga strukturat e parandalimit dhe hetimit të veprimtarisë antiligjore në PU, është konstatuar që në disa raste përgjegjësia penale e personave nën hetim është realizuar nëpërmjet mosveprimit si një nga format e konsumimit të veprës penale, por ky përcaktim i paparashikuar në këtë ligj është përdorur për të lehtësuar pozitat juridike të personave të akuzuar, duke lejuar edhe deri në mosndjekjen penale ose mosfillimin e procedimit penal ndaj personave të dyshuar,”- thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit.
Një tjetër ndryshim që e parashikon ligji është fakti që Policia Ushtarake, do të duhet që të shoqërojë edhe personalitete civile, në bashkëpunim me Gardën e Republikës. Ndërsa gjithashtu parashikon që punonjësi i Policisë Ushtarake trajtohet me veshmbathje civile, në vlerë leku, një herë në vit, në masën e gjysmës së pagës mujore. Të gjitha ndryshimet për trajtimin e efektivëve, do të duhet të kapin vlerën e një page mujore.