20-vjeçari shqiptar nuk u largua me skuadrën e Chelsea të shtunën e kaluar për shkak të pasigurisë mbi të ardhmen e tij në klub. Tani, sulmuesi është parë në stërvitje, në kampin stërvitor të bluve të Londrës në Los Angeles.
Sipas “The Athletic”, blutë nuk mendohet se kanë marrë një ofertë të përshtatshme transferimi për sulmuesin e talentuar. Ylli i kombëtares shqiptare ka tërhequr interes si nga West Ham, ashtu edhe nga Everton në Premier League.
“SunSport” zbuloi ekskluzivisht muajin e kaluar se Broja është objektiv kryesor për “Hammers”, pasi Southampton u tërhoq nga gara për nënshkrimin e tij. Newcastle, gjithashtu mendohet të ketë pyetur për një marrëveshje me shqiptarin. Pretendohet se Chelsea nuk është ende i qartë mbi planet e tij për Broja.
Ai tani është i vendosur të luajë një pjesë në turneun e SHBA, me ndeshjen e parë kundër skuadrës meksikane Club America, të dielën në Las Vegas. Chelsea më pas do të fluturojë për t’u përballur me skuadrën e MLS, Charlotte FC më 21 korrik, përpara se ta përfundojë “ekspeditën amerikane” me një miqësore kundër Arsenalit, dy ditë më vonë.
Sulmuesi shqiptar bëri përshtypje si i huazuar te Southampton sezonin e kaluar, duke shënuar 9 gola në 38 ndeshje. Forma e tij kishte bërë që ai të lidhej me një largim prej 30 milionë stërlinash nga “Stamford Bridge”.
Ndërkohë, një lajm aspak i mirë vjen nga toka amerikane për sulmuesin tonë. Broja ka pësuar një dëmtim serioz gjatë stërvitjes me të tijtë, teksa është fotografuar duke dalë nag fusha me një makinë të vogël, me njërën këmbë të future në “kallëp”.
Mbetet të shihet shkalla e dëmtimit, por gjasat janë që ai t’i ketë thënë lamtumirë përgatitores në SHBA. Sa keq! Kur pritej që të jepte maksimumin dhe t’i tregonte potencialin trajnerit Thomas Tuchel, 20-vjeçari duhet të përballet me këtë dëmtim.