Me ardhjen e sulmuesit polak, katalanasit kanë sërish në radhët e tyre një golashënues në nivelin e më të mirëve në historinë e tyre.
Nëse ka një gjë për të cilën janë ankuar trajnerët e fundit të Barcelonës, Koeman dhe Xavi, është mungesa e golave. ‘Blaugranët’ janë justifikuar me largimin e Messit. Që kur argjentinasi u largua, ata duhet të krijojnë shumë raste në lojë për të shënuar në ndeshje. Dhe as kjo nuk mjafton. Ata kanë humbur një ‘vrasës’… deri tani.
Me afrimin në radhët e tyre të Robert Lewandowskit, Barcelona ka sërish një nga ata lojtarë që i mungonte për golat. Nuk ka shumë të tillë në treg. Prandaj edhe pritshmëria e krijuar nga nënshkrimi i polakut me katalanasit, është rritur. Mund të thuhet, se efekti Lewandowski tashmë teorikisht është i dukshëm, ndërkohë që minutat në ‘El Clasico’, treguan drejtësinë e pretendimeve.
Nëse flasim për golat në Can Barça, duhet të flasim për Leo Messin. Hija e argjentinasit është e gjatë dhe është e vështirë të mendohet, se do të shohim dikë që i përmirëson rekordet e tij. Asnjëherë nuk dihet se çfarë do të vijë, por duket se ‘Pleshti’ dhe 670 golat e tij do të qëndrojnë atje lart për një kohë të gjatë, në podiumin e ‘vrasësve’ të Barçës.
Në një shkallë më tokësore, figura e Lewandowskit ka dalë përmes golave për të fituar dy “Këpucët e Arta” të fundit. Shifrat e tij me Bayern Munich janë në kulmin e më të mirëve. Nëse flasim për mesataret, mund ta shikoni këdo në sy. Me bavarezët, polaku praktikisht ka një gol për ndeshje.
Ka vetëm një djalë, që i reziston këtij krahasimi në historinë e klubit katalanas. Messi u largua me një mesatare prej 0.86 gola për lojë. Ai shënoi një gol çdo 95 minuta që luante me ‘blaugranët’. Natyrisht, ajo që Lewandoski ka arritur në Gjermani me Bayernin, nuk duhet të jetë domosdoshmërisht ajo që do të arrijë te Barcelona. Mbetet për t’u parë nëse ai është në gjendje të qëndrojë në atë nivel në kampionatin spanjol. Nga dëshira nuk do të jetë e vështirë. Siç thotë edhe vetë Lewy, ai vjen “i uritur për gola”.