Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur mbrëmjen e djeshme në Shkodër.
Dy persona të paidentifikuar zbrazën plot 19 plumba drejt makinës tip “Audi” me të cilën po udhëtonte 25-vjeçari Aldo Bruçi. Menjëherë pas ngjarjes ka qenë vetë Bruçi që ka bërë denoncimin në polici.
Mësohet se ai ka deklaruar se nuk e ka idenë se kush e ka qëlluar dhe se nuk ka konflikte me persona të tjerë ndërsa atentati ndodhi pak metra larg banesës së tij.
“Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motoçikletë u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”, mësohet të ketë thënë Bruçi.
Policia e Shkodrës mendon se 25 vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë tip Scorpions e cila dyshohet se ka qenë me silenciator pasi nuk janë dëgjuar të shtënat në zonën ku ndodhi atentati.
Disa prej plumbave kanë përfunduar në xhamin e automjetit dhe në derën e makinës, por objektivi i këtij atentati ka arritur që të shpëtojë pa u plagosur. Automjeti i tij edhe pasi është qëlluar ka ecur disa metra deri në momentin që është ndalur dhe atentatorët janë larguar dhe më pas 25-vjeçari Bruçi ka dalë nga makina duke u larguar me shpejtësi dhe duke bërë denoncimin në polici.
Paraprakisht dyshohet se eshkuara kriminale e Bruçit është bërë shkak për atentatin, pasi i riu, është arrestuar nga Policia e Shkodrës më 4 korrik të vitit 2016, pasi dyshohet se qëlloi me armë në drejtim të shtetasit me iniciale A.J, i cili po udhëtonte me një automjet.