Presidenti i Italisë Sergio Mattarella do të vizitojë Tiranën në javën e parë të shtatorit. Lajm konfirmohet nga Presidenca shqiptare, e cila bën me dije se Mattarella do të pritet me ceremoni shtetërore në Pallatin e Brigadave.
Kreu i Presidencës italiane do të qëndrojë dy ditë në kryeqytetin e vendit, më 7 dhe 8 shtator, dhe do të takohet me homologun Bajram Begaj dhe zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj do të mirëpresë, në dt. 7-8 shtator 2022, Presidentin e Italisë, Sh. T. Z. Sergio Mattarella, i cili do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Tiranë. Kreu i Shtetit italian do të pritet me ceremoni shtetërore në Pallatin e Brigadave.
Gjatë kësaj vizite, Presidenti Mattarella do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar”, thuhet në njoftimin e ndarë nga Presidenca më 30 gusht. Kjo është vizita e parë që Begaj pret një homolog të vendeve mike të Shqipërisë, si President i vendit.