TIRANE- Në futboll duhet edhe fat për të arritur një objektiv, por për kuqezinjtë, me sa duket, në këtë edicion të Ligës së Kombeve, fati po vazhdon të mungojë edhe dukshëm. Jo në mënyrën e lojës, apo se si i pësuam golat, apo humbëm rastet, por kuqezinjve dhe Edi Rejas në këtë rast po i mungon 11-shja optimale e futbollistëve.
Në disa raste Covidi, në rastet e ndeshjeve të fundit, mbingarkesa dhe lodhja pas përfundimit të kampionateve, apo hutimi i disa lojtarëve nga merkato, ndërsa në këtë sprint final, ku kemi ende një objektiv për të arritur, janë dëmtimet ato që na cungojnë jo pak, por plot 6 emra të formacionit bazë: Dermaku, Hysaj, Gjimshiti, Kumbulla, Manaj, Abrashi, ku reparti më i prekur është padyshim pika më e fortë e kësaj skuadre, mbrojtja.
Të gjithë emra, të cilët zëvendësuesit i kanë me një diferencë të dukshme niveli, të paktën edhe në bazë të paraqitjeve që kanë bërë, apo matur kjo edhe në bazë të minutave që janë aktivizuar deri më tani, kur kanë filluar të gjitha kampionatet europiane dhe ku janë zhvilluar mesatarisht 3-4 ndeshjet e para.
Alternativat e Rejas për mbrojtjen, mbeten lojtarët e aktivizuar edhe më pare, si Çepele, Ajeti, Mihaj, Hoxhallari, Mersinaj, Veseli, apo i saponatyralizuari Adrian Bajrami. Një pjesë e këtyre emra të rinj, të tjerët të konfirmuar thjesht si zëvendësues, gjë që tregon edhe një herë se këmbanat e alarmit këtë herë për skuadrën tonë Kombëtare janë për një situatë tepër të vështirë, në momentin më kyç të një sezoni të komplikuar që në fillim.
Shqipëria do të luajë shanset e fundit në ndeshjen e 24 shtatorit në Izrael, skuadrën që kryeson grupim tonë në Ligën e Kombeve me 5 pikë pas 3 ndeshjeve të luajtura. Nëse do t’i qëndrojmë objektivit të parë për të synuar kreun e grupit 2 në Ligën B duhet me doemos fitore në dy ndeshjet e fundit, në Tel Aviv përballë vendasve dhe me Islandën, ndeshja përmbyllës e këtij edicioni më 27 shtator në stadiumin “Air Albania”.