Rekord i ri për Lionel Messin, i cili hyn në rrethin e ngushtë të “100”. Autori i dopietës në miqësoren e fituar nga Argjentina kundër Xhamajkës 3-0, Messi rrumbullakosi 100 fitore me kombëtaren, duke u bërë argjentinasi i parë që e realizon këtë sukses.
Në terma absolutë, “Pleshti” kalon me një fitore plus Sergio Ramos me Spanjën, Cristiano Ronaldo me Portugalinë dhe Andrés Guardado me Meksikën. Përveç kësaj, dy golat e shënuar gjatë miqësores së mbrëmshme e ngjisin atë në kuotën e 90 golave në total me Argjentinën.
Më mirë se ai në nivel kombëtareje është vetëm iraniani Ali Daei me 109 gola dhe Cristiano Ronaldo me 117 gola. Ndërkohë, Paolo Dybala nuk luajti fare me kombëtaren në dy ndeshjet e fundit.
Lionel Scaloni, trajneri i Argjentinës, siguroi të gjithë tifozët e Romës, pasi e la “Joya” në tribunë në miqësoren kundër Xhamajkës: “Ky ishte një vendim i stafit stërvitor. Ne nuk donim të rrezikonim me Paulon. Ai është në një nivel shumë të mirë, por kam preferuar të mos e rrezikoj, në mënyrë që ai të vazhdojë në klubin e tij”.
Prandaj, po shtohen shanset për ta parë “Joya” që në minutën e parë kundër Interit, ndeshje që do t’i shohë verdhekuqtë në “San Siro” të shtunën, kur Serie A të rifillojë në orën 18:00.