Në emisionin “Kjo Javë” në News24, eksperti i Sigurisë Ilir Kulla foli për sulmet kibernetike nga Irani. Gjatë bisedës në studio me gazetaren Nisida Tufa, Kulla tha se dëmi është goxha i madh dhe se të dhënat e para personale dolën me patronazhistët.
Po ashtu ai shtoi se sulmi ka ardhur nga brenda dhe se është një aktiviteti i mirëfilltë spiunazhi.
“Ne vetëm kemi neglizhuar, përgjigjet tona kanë filluar kur dëmi ishte bërë dhe nisi me deklaratën e kryeministrit për ndërprerjen e marrëdhënieve. Besoj që nga historia e patronazhistëve, duhet të kishte përgjigje të fortë të institucionit, nuk ka rëndësi kush i përdori.”, u shpreh Kulla.
Pjesë nga biseda në studio:
A ka gjasë që sulmi të ketë ndodhur nga brenda?
Kulla: Sigurisht sulmi ka ardhur nga brenda. Është aktiviteti i mirëfilltë spiunazhi. AKSHI është vendi ku ne kemi siguruar të dhënat. Dëmi është goxha i madh dhe reagimi historik i opozitës nuk më pëlqen. Bashkë me mazhorancë duhet të shohin mënyrën se si do e zgjidhin këtë çështje.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj?
Kulla: Nuk ishte e vonë, nuk merren vendime në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Besoj që Presidenti ka bërë mirë që në këtë rast ftoi edhe opozitën.
SHISH ku qëndron pas kësaj?
Kulla: Institucionet e Inteligjencës ekzistojnë që të bëjnë një punë që të mos e shohin të tjerët. Ne shqiptarët akoma nuk e kuptojmë se sa e shenjtë është siguria personale. Harrojnë që kjo gjendje mund të kthehen kundër. Imagjino sikur hakerat të nxjerrin të dhënat e Bankës së Shqipërisë. E imagjinoni dot një ’97 digjitale. Është kërcënim real.
Prokuroria i kërkoi ndihmë juridike edhe Rusisë për hakerat iranianë, a mund të presim ndihmë nga Federata Ruse?
Kulla: Vetë fakti që një gjë e tillë bëhet publike dhe nuk ngelet konfidenciale deri në momentit që të ketë një përgjigje, tregon se sa jo seriozë janë ato që e kanë bërë. Ne për krimet kibernetike nuk kemi sistemuar as legjislacionin. Ky është një hetim që duhet të vazhdojnë dhe institucionet duhet të bëjnë punën e tyre në heshtje. Për këtë duhej krijimi i një Task-Force që merret me këtë punë, duke marrë dhe ekspertë nga perëndimi për të gjetur ku janë hakerat, por kjo gjë duhet bërë në konfidencialitet të plotë.