IRAN- Djali i saj ishte bloger i cili përdorte internetin për të publikuar përmbajtje dhe ankesa kundër ngacmimeve të regjimit në Teheran. Për këtë arsye në vitin 2012 ai u arrestua, u dërgua në burg dhe u torturua deri në vdekje. Nëna e tij nuk e pa kurrë trupin e rrahur të djalit të saj, por ndjeu dhunën e vuajtur nga një qefin i lagur me gjak. Tani ajo nënë, Gohar Eshghi, është 80 vjeç dhe një nga videot e saj ka bërë xhiron e botës.
Sipas La Repubblica, gruaja, në fakt, ka vendosur të bëjë një gjest shumë të guximshëm në një kohë kur ushtria dhe policia iraniane po shtypin protestat e nisura nga vdekja e Mahsa Amini, e vrarë pasi u ndalua për “mbajtjen e keqe të mbulesës në publik”, me arrestime, dhunë dhe vrasje. Ajo hoqi hixhabin dhe u bëri thirrje të gjitha grave që jetojnë në Iran të bëjnë të njëjtën gjë.
“Për të rinjtë tanë, pas 80 vitesh, për shkak të një feje që po vret njerëz, unë heq hixhabin. I shaj frikacakët. Nëse më dëgjoni, dilni në rrugë. Jeni frikacakë nëse nuk e bëni”.- tha ajo.
Ajo, si të gjitha gratë e tjera që jetojnë në Iran, është detyruar të mbajë atë mbulesë që fsheh kokën që në moshën 7-vjeçare. Mbi 73 vjet me atë hixhab në kokë sa herë dilte nga shtëpia. Djali ishte një aktivist, një i ri që që nga viti 2010 kishte krijuar një blog për të denoncuar dhunën, kërcënimet dhe shantazhet e forcave të rendit dhe imponimet e regjimit të Teheranit. Më pas, në vitin 2012, ai u identifikua nga Policia Kibernetike iraniane. Ai u arrestua, u dërgua në burg. Pastaj torturat dhe vrasja. Për këtë arsye, zëri i 80-vjeçares është një udhërrëfyes për të gjithë ato që shohin çdo ditë të shkelur të drejtat e tyre civile nga ligjet kufizuese.