Mediat serbe kanë publikuar sot në ballinat e tyre “ultimatumet” e Perëndimit se marrëveshja Kosovë -Serbi duhet të arrihet deri më 24 shkurt. Në shkrimet e tyre, mediumet që kontrollohen nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, i janë referuar “skenarit” që dje e publikoi Albanian Post.
“Zgjidheni Kosovën deri më 24 shkurt, ose pason një shkop i fortë” shkruan e përditshmja Blic në tekstin kryesor të saj të ilustruar me fotografi të emisarëve Miroslav dhe Gabriel Escobar.
Po ashtu edhe tabloidi Kurir i afërt me Vuçiç i ka bërë jehonë ultimatumit të Perëndimit duke e përmendur 24 shkurtin si afat deri kur duhet të arrihet marrëveshja. Nëse nuk ndodhë kjo, sipas Kurir, Kosova dhe Serbia do të ndëshkohen.
Ditën e djeshme Albanian Post, ka raportuar se skenari i ri i Perëndimit jep një ultimatum që marrëveshja Kosovë -Serbi që nuk do të ketë njohje reciproke, të arrihet deri më 24 shkurt. Sipas këtij plani Serbia nuk do duhej ta hiqte Kosovën nga Kushtetuta ku e trajton si pjesë të saj e as Kosova s’do të duhej të ndryshonte kushtetutën e saj për ta akomoduar Asoaciacionin.
Ky medium kishte publikuar edhe përmbajtjen e planit franko-gjerman gjatë shtatorit sipas të cilit Kosovës dhe Serbisë i është ofruar që të zgjidhin kontestin mes tyre me një marrëveshje pa njohje dhe me të cilën Kosova do të fintonte njohje nga shtetet jonjohëse të BE’së ndërsa cështjen e njohjes reciproke do të trajtohej diku pas 10 vjetësh.
Duke i komentuar këto shkrime në një intervistë për TV Prva, një televizion tjetër miqësor ndaj tij, mbrëmë Vuçiç tha se afatin që zgjidhja të gjendet brenda javësh e ka dëgjuar edhe nga Sekretari Blinken. Ndërkohë që për Albanian Post tentoi të ishte ironik duke theksuar se po i duket si një “gazetë zyrtare nga e cila tash duhet të informohemi”.