Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e prodhimit, importit dhe shitjes me shumicë të çimentos. Hetimi paraprak ka qëllim për të evidentuar nëse ekzistojnë shenja të kufizimit, shtrembërimit apo pengimit të konkurrencës në këtë treg.
Nga të dhënat e administruara gjatë monitorimit të tregut prej sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës, ka rezultuar se çmimi i shitjes së çimentos nga ndërmarrjet importuese dhe prodhuese ka pasur një tendencë rritjeje të fortë duke arritur drejt një çmimi rreth 115-120 euro/ton, thuajse të njëjtë për të gjithë konkurrentët në tregun e çimentos, si ata të importit, ashtu dhe të prodhimit të brendshëm.
Gjithashtu nga monitorimi konstatohet se ky ndryshim i çmimeve ka ndodhur në të njëjtën periudhë për ndërmarrjet importuese dhe prodhuese. Vendimi është marrë nga Komisioni i Konkurrencës në fillim të muajit korrik, por nuk është bërë publik, me sa duket, për të mos dëmtuar procedurën hetimore.
Sipas të dhënave paraprake nga Autoriteti i Konkurrencës, prodhimi i çimentos vendase zë edhe vendin kryesor, konkretisht për vitin 2021, referuar xhirove të ndërmarrjeve me rreth 85% të totalit të shitjeve dhe një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të tre fabrikave shkon për eksport.
Gjithnjë duke iu referuar analizës së Autoritetit të Konkurrencës, tregu i prodhimit të çimentos është një treg shumë i përqendruar me pak ofrues. Produkti që ofrojnë konkurrentët është një produkt homogjen, gjë e cila mund të çojë drejt një sjellje të mundshme bashkërenduese ndërmjet konkurrentëve në këtë treg. Tregu i importit të çimentos rifuxho është gjithashtu një treg i përqendruar, pasi janë vetëm një numër shumë i vogël ndërmarrjesh të cilat importojnë këtë produkt.
Për arsyet e mësipërme, çmimet e përafërta të shitjes së ndërmarrjeve prodhuese dhe importuese, rritja në të njëjtën periudhë, struktura e përqendruar e tregut, homogjeniteti i produktit, janë elementë të cilët mund të çojnë drejt një sjelljeje të bashkërenduar ndërmjet ndërmarrjeve, sjellje e cila mund të përbëjë një kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës. Hetimi paraprak ka përfshirë periudhën kohore nga 1 Janar 2021 deri në 30 Qershor 2022.
Këtë vit, lëndët e para të përdorura në sektorin e ndërtimit kanë shënuar një shtrenjtim të ndjeshëm. Ky shtrenjtim ka shkaktuar presione të mëtejshme për rritjen e çmimeve në sektorin e ndërtimit, kryesisht në objektet që janë në process ndërtimi dhe që kanë pësuar një rritje të ndjeshme të kostove. Sipas Instat, indeksi i Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e dytë të këtij viti regjistroi një rritje rekord prej 6.2%. Ndikimin kryesor e dhanë shpenzimet për energjinë elektrike dhe shpenzimet për materialet e ndërtimit.
Materialet e ndërtimit shënuan një rritje edhe më të lartë se ndryshimi mesatar i indeksit, me 6.9% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo kosto e rritjes së çmimeve ëhstë përcjellë edhe në buxhetin e shtetit. Me ndryshimet e miratuara në mesin e këtij viti, qeveria alokoi 6 miliardë lekë shtesë për të kompensuar firmat kontraktore të projekteve publike për rritjen e çmimit të materialeve të ndërtimit. /Monitor