Priti nga BE por i dhanë vetëm 80 milion euro! Qeveria rriti çmimin e energjisë elektrike dhe paralajmëroi fashën 800 KW

0

TIRANË- Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ishte totalisht i paqartë në njoftimin zyrtar përmes të cilit bëri me dije se nga 1 nëntori mund të hyjë në fuqi fasha kufizuese prej 800 KW dhe se çmimi do të rritet. Ky vendim erdhi pikërisht në momentin që qeveria mori ndihmën prej 80 milionë eurosh nga Komisioni Evriopian. Ishte Presidentja e KE-së, Ursula Von Der Leyen që e bëri me dije këtë lajm një ditë më parë.

“Do të jenë 80 milionë euro në grante,”- tha Von Der Leyen.

Por, kjo shifër, siç duket nuk ka qenë e mjaftueshme për qeverinë shqiptare dhe një ditë më pas, pra sot, riktheu vendimin e nisur që në fund të shtatorit, kohë kur kryeministri Edi Rama lajmëroi aplikimin e fashës 800 KW

Duke parë reagimet e forta, qeveria Rama e ndjeu rrezikun duke qenë se jemi vetëm pak muaj larg zgjedhjeve lokale dhe me një status në Facebook, e tërhoqi vendimin për muajin tetor, vendim që në fakt duhej marrë nga ERE. Tashmë institucioni e ka lënë të hapur mundësinë për ta rivendosur në nëntor dhe dhjetor. Kjo gjë, sipas qeverisë e Ministrisë së Infrastrukturës do të varet nga niveli i reshjeve (APO REAGIMET?).

Ajo që u ‘diktua’ gjithashtu nga kryeministri Rama ishte edhe rritja e çmimit që duhet të paguajnë familjet që konsumojnë mbi 800 KW në muaj. I pranishëm në Bulqizë, Rama dha ‘lajmin e fundit’ teksa u shpreh se çmimi i energjisë elektrike ishte rritur nga 42 në 44 lekë.

Por kush ia tha këtë informacion Ramës? ERE jo, të paktën jo zyrtarisht, në njoftimin zyrtar nuk bënte me dije çmimin konkret, por vetëm faktin që ekziston mundësia për ta rritur.

Njoftimi i ERE:

Datë 28.10.2022. Për të gjithë konsumatorët familjarë që furnizohen nga Shërbimi Universal (FSHU sh.a.). ERE ka detyrimin të reflektojë çmimet e energjisë së konsumatorëve fundorë të shërbimit universal, kostot e furnizimit sipas kostove të burimit të sigurimit të energjisë. Vendimi i Brodit të ERE-s nr. 242 datë 23.09.2022, i ndryshuar me vendimin e Bordit nr.254 datë 07.10.2022, qëndron në fuqi për muajt nëntor – dhjetor 2022, dhe këto çmime mbeten të aplikueshme, ashtu si përcaktuar në vendim, për periudhën 1 nëntor 2022 – 31 dhjetor 2022. Sic theksuar dhe më parë nga vendimmarrja e ERE-s, çmimi i furnizimit me energji elektrike për konsumatoret që konsumojnë mbi fashën e konsumit 800 kë, do të mbetet objekt rishikimi periodik, bazuar në kërkesën FSHU sh.a., vendimet e Asamblesë së KESH sha, si dhe vlerësimet e ERE-s, nëpërmjet të cilave do të vlerësohen ndryshimet në çmimin e shitjes se energjisë elektrike për konsumatorët fundorë të shërbimit universal.

Megjithatë, deklarata e Ramës u ‘zbut’ nga zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, e cila u shpreh se nuk është vendosur rritja e çmimit, pasi atë vendim e merr vetëm Qeveria.

Dhe këto deklarata për mungesë reshjesh e mundësi aplikimi fashe nuk vijnë nga rritja e çmimeve në bursë, pasi në fakt sot, çmimi i energjisë ka rënë në 136.5 euro, shumë më pas se 749 euro që arriti në muajin gusht. Kjo gjë të lë të kuptosh se kriza që po i faturohet luftës në Ukrainë po ‘fryhet’ nga qeveria.

Ndoshta ajo që po e ‘fryn’ është pakënaqësia nga 80 milionë eurove të Komisionit Evropian?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu