Këngëtari dhe reperi i njohur amerikan, Aaron Carter, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare. Ai u gjet i vdekur në banjën e shtëpisë së tij në Lancaster, Kaliforni, të shtunën në mëngjes.
Ai ishte vëllai më i vogël i Nick Carter të grupit të famshëm, “Backstreet Boys”. Ai ka reaguar pas vdekjes tragjike të vëllait të tij. Në një postim në rrjetet sociale ai iu drejtua marrëdhënies së tij “të komplikuar” me vëllain e ndjerë Aaron Carter në një homazh të përzemërt pas vdekjes së këngëtarit të shtunën.
“Zemra ime është thyer sot,” filloi ai një postim të gjatë së bashku me një album fotografish të tij dhe Aaron gjatë viteve.
“Edhe pse vëllai im dhe unë kemi pasur një marrëdhënie të komplikuar, dashuria ime për të nuk është zbehur kurrë. Gjithmonë kam mbajtur shpresën, se ai do të donte disi, një ditë të ecte në një rrugë të shëndetshme dhe përfundimisht të gjente ndihmën që kishte aq shumë nevojë. Ndonjëherë duam të fajësojmë dikë ose diçka për një humbje. Por e vërteta është se varësia dhe sëmundja mendore është keqbërësi i vërtetë këtu”, shkruan më tej ai.
Anëtari 42-vjeçar i “Backstreet Boys” përfundoi: “Do të më mungojë vëllai im më shumë nga ç’do ta dijë ndonjëherë. Të dua Chizz., tani ke mundësinë të kesh më në fund një paqe që nuk do ta gjeje kurrë këtu në tokë… Zot, të lutem kujdesu për vëllain tim të vogël”.
Aaron dhe Nick kanë pasur një marrëdhënie të tensionuar ndër vite, me kandidatin për Grammy që kërkoi një urdhër ndalimi ndaj vëllait të tij më të vogël në shtator 2019.