Porti i Durrësit/ Shehaj akuza Ramës: Është biznes familjar! Po i fal mbi 300 milionë euro taksa një individi

0

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj ka akuzuar sërish ditën e sotme kryeministrin Edi Rama në lidhje me projektin e ndëtimit të Portit të Durrësit. Në një postim në Facebook deputeti demokrat ka publikuar një dokument që sipas tij vërteton se ndërtimi i Portit të Durrësit është një biznes familjar dhe pas tij nuk qëndron kompania EMAAR apo princi i kurorës.

Porti i Durrësit/ Shehaj akuza Ramës: Është biznes familjar!
Dokumenti i publikuar nga Agron Shehaj
Shehaj shkruan se sipas dokumentit përfituesi fundor që po merr Portin e Durrësit, rezulton Muhamed Alabbar dhe familja e tij. Shehaj akuzoin kreun e qeverisë se po mashtron hapur shqiptarët në lidhje me projektin duke shtuar se qeveria po hyn në marrëveshje vetëm me një individ, të cilit sipas tij po i falen 820 mijë metër tokë dhe mbi 300 milionë euro taksa.

POSTIMI I AGRON SHEHAJT:

Edi Rama mashtroi publikisht kur tha se Portin e Durrësit do ta ndërtonte Emaar. Sipas vetë deklarimeve të kompanisë “Eagle Hills” në institucionet shtetërore, përfituesi fundor që po merr Portin e Durrësit, rezulton Muhamed Alabbar dhe familja e tij. Siç dëshmohet qartë nga kjo foto, Alabbar rezulton të ketë 40 për qind të aksioneve fundore në Portin e Durrësit, ndërsa familiarët e tij rezultojnë të kenë 60 për qind të tjerat. Pra Porti i Durrësit, projekti 2.1 miliardë euro i shumë trumbetuar nga qeveria dhe kryeministri është thjesht një biznes familjar. Në projekt nuk ka as Emaar as princ kurore siç mashtronte publikisht Edi Rama, por është vetëm familja Alabbar. Me pak fjalë, qeveria shqiptare po bën ligj dhe po hyn në marrëveshje 2.1 miliardë euro vetëm me një individ, të cilit po i falen 820 mijë metër tokë, mbi 300 milionë euro taksa dhe për hir të këtij biznesi po shkatërrohet porti më i madh tregtar i vendit. E megjithatë edhe ky zinxhir pronësie është i bazuar në vetdeklarimet e kompanisë Eagle Hills. Askush nuk mund të provojë se kush qëndron realisht pas aferës së portit të Durrësit, pasi skema e përdorur është thuajse identike me atë të inceneratorëve, marrëveshje me individë dhe kompani të sapokrijuara pa asnjë historik financiar.

Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall, është paraqitur nga qeveria si investitor i projektit të portit të Durrësit. Aktualisht kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore. Kompania zotëruese e aksioneve ishte Symphony Real Estate Development që pak kohë më parë i kaloi aksionet tek NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED. Opozita e quan aferën më të madhe korruptive faljen e 800 mijë metrave katrore një kompani off shore, për të cilën kryetari i PD, Sali Berisha thotë se ka si aksionerë vëllezërit Kariç. Sipas opozitës, ky është një projekt i Ramës dhe Vuçiç për të marrë portin e Durrësit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu