Këngëtarja me famë botërore, Celine Dione, ka zbuluar se është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë të quajtur Stiff Person Syndrome (SPS). Kjo e fundit bën që muskujt të tensionohen në mënyrë të pakontrolluar.
Mediat e huaja shkruajnë se kjo sindromë i lë të prekurit si “statuja njerëzore” pasi në mënyrë progresive e mbyll trupin në pozicione të ngurtë, duke i bërë njerëzit të paaftë të ecin ose të flasin.
Gjithashtu thuhet se nuk ka kurë për SPS, por ka trajtime për të ngadalësuar përparimin. Ndërkohë ylli i muzikës ka bërë me dije se po bën gjithçka që mundet për të minimizuar simptomat.
54-vjeçarja e famshme ka bërë një postim në profilin e saj në “Instagram”, ku u është drejtuar fansave. E përlotur, këngëtarja ka njoftuar që kjo është arsyeja e anulimit të turneut të saj europian.
“Përshëndetje të gjithëve, më vjen keq që m’u desh kaq shumë kohë për të kontaktuar me ju. Më mungoni shumë të gjithë dhe mezi pres të jem në skenë dhe të flas personalisht me ju. Kam një kohë të gjatë që po përballem me probleme me shëndetin dhe ka qenë vërtet e vështirë për mua të përballem me sfidat e mia dhe të flas për gjithçka që kam kaluar. Kohët e fundit jam diagnostikuar me një çrregullim neurologjik shumë të rrallë të quajtur Stiff Person Syndrome, i cili prek 1 në një milion njerëz. Ndërsa ne jemi ende duke mësuar për këtë gjendje të rrallë, e dimë se kjo është ajo që ka shkaktuar të gjitha spazmat që kam pasur. Më dhemb t’ju them sot se kjo do të thotë se nuk do të jem gati të rifilloj turneun tim në Evropë në shkurt”, njoftoi ajo.
Njoftimi i parë për problemet e saj shëndetësore u dha në janar, kur Celine anuloi datat në Amerikën e Veriut të turneut të saj botëror Courage nga 9 marsi deri më 22 prill.