Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë këmbyer të basketbollisten e burgosur amerikane, Brittney Griner, me tregtarin famëkeq të armëve, Viktor Bout, që për 12 vjet ishte në një burg amerikan. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Griner është e sigurt dhe është nisur për në shtëpi me një avion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.“Jam i lumtur të njoftoj se Brittney është mirë… asaj do t’i duhet kohë dhe hapësirë për t’u rikuperuar”, tha ai nga Shtëpia e Bardhë.Griner ishte arrestuar në aeroportin e Moskës në shkurt për posedim të vajit të kanabisit dhe muajin e kaluar u dërgua në një burg.
Administrata Biden në korrik propozoi këmbimin e të burgosurve, duke e ditur se Moska për një kohë të gjatë ka kërkuar lirimin e Boutit.Ministria e Jashtme e Rusisë konfirmoi këmbimin e të burgosurve, që tha se ka ndodhur në aeroportin e Abu Dabit.
“Qytetari rus është kthyer në atdheun e tij”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse.Rusia thotë se po i merr seriozisht propozimet për këmbimin e të burgosurve me SHBA-në. Duke folur nga Zyra Ovale, gruaja e Griner, Cherell, lavdëroi përpjekjet e administratës amerikane për lirimin e yllit të basketbollit.
Si pjesë e këmbimit të të burgosurve, Biden nënshkroi dekretin për lirimin e Boutit, që ishte dënuar me 25 vjet burgim.Viktor Bout u ka shitur armë komandantëve të luftës dhe shumë qeverive, duke u shndërruar në një prej njerëzve më të kërkuar në botë.I cilësuar si “tregtari i vdekjes” për shkak të shitjes së armëve që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, të bëmat e këtij shtetasi rus inspiruan filmin e Hollywoodit, Lord of War, që bazohej në jetën e tij.Ai u arrestua më 2008 në Bankok dhe u ekstradua dy vjet më vonë në SHBA, ku qëndroi për 12 vjet në burg, pasi u gjet fajtor për mbështetje të terroristëve që vranë amerikanët.
Ndërkaq, Brittney Griner, 31 vjeçe, është sportiste shumë e njohur në Amerikë. Arsyeja e vetme që ajo kishte udhëtuar drejt Moskës ishte për të luajtur në Rusi, në kohën kur në SHBA ligat e basketbollit janë në pushim. Ajo kishte pranuar se kishte bërë “gabim të paqëllimshëm” kur kishte marrë me vete vaj të kanabisit, për të cilin u dënua. /REL