Eurodeputetja socialiste greke Eva Kaili, një nga 14 nënkryetaret e Parlamentit Evropian, u shoqërua për t’u marrë në pyetje në Bruksel të premten në mbrëmje në lidhje me një hetim mbi korrupsionin e dyshuar që përfshin “një vend të Gjirit”.
Katër arrestime të tjera ishin bërë tashmë në kryeqytetin belg në mëngjes për të njëjtin rast. Mediat në Greqi dhe Belgjikë raportuan se një nga katër të arrestuarit është partneri i Kailit.
Partia socialiste greke PASOK, anëtare e së cilës është Kaili, njoftoi të premten në mbrëmje se ishte “përjashtuar” nga anëtarësia e saj.
Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës tha se gjeti 600,000 euro para të thata dhe sekuestroi kompjuterë dhe telefona celularë në bastisjen e së premtes.
Ai tha se hetimi ishte përqendruar te asistentët e parlamentit evropian, por edhe një ish-deputet ishte marrë në pyetje.