Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ndaj Agjencisë Shtetërore të Kadastrës konstaton se shërbimet e këtij institucionin ndaj qytetarëve kryhen me vonesa dhe se të dhënat e Kadastrës janë në rrezik.
Konstatohet gjithashtu se ndër fjalët më të përdorura brenda zyrave të Kadastrës në të gjithë Shqipërinë, është togfjalëshi “nuk ka sistem” . Tashmë qytetarët i janë dorëzuar kësaj fjale dhe gjithë pasojave që ajo sjell, por duket se KLSH po kërkon marrjen e masave.
Auditi i KLSH nxori në pah gjithashtu se teknologjia e informacionit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës është e rrezikuar dhe shërbimet ndaj qytetarëve shpesh herë ndërpriten.
Sipas dokumentit thuhet: “Nga auditimi mbi sistemin Multifunksional u konstatua se: -Sistemi multifunksional vazhdimisht punon me ndërprerje dhe ka probleme me ecurinë normale të punës duke ndikuar në veprimtarinë e specialistëve dhe institucionit në ofrimin e shërbimeve kundrejt qytetareve dhe bizneseve”.
Ky auditim rezultatet e të cilit janë publikuar pak kohë më parë nxjerr në pah se infrastruktura e rrjetit aktual të sistemeve të ASHK është e amortizuar dhe pa mirëmbajtje të pajisjeve, duke mos përmbushur në këtë mënyrë kërkesat e Drejtorive Vendore, të cilat kanë nevojë për kapacitete shtesë për transmetim dhe rritje të sigurisë së informacionit. Pajisjet e komunikimit sëitch dhe router core në Drejtorinë e Përgjithshme ASHK dhe ato të hostuara në Datacenter-in e AKSHI nuk kanë pjesë rezervë në raste avarie të pajisjeve të cilat janë në prodhim. File Server i Regjistrimit Fillestar është në maksimumin e kapaciteteve të ruajtës; – nuk disponon një infrastrukturë BCC (Business Continuity Center) në kundërshtim me VKM nr. 710, datë 21.08.2013 “Për krijimin dhe funksionimin e sistemeve të ruajtjes së informacionit, vazhdueshmërisë së punës dhe marrëveshjeve të nivelit të shërbimit”.
Kjo situatë ka bërë që problemet në proceset e dokumentacioneve të jenë vazhdimisht prezente duke nisur nga orë dhe duke vijuar me ditë. Kjo gjë ka sjellë ngërçe të vazhdueshme me ecurinë e punës duke u kthyer në një problem madhor për qytetarët. Nga ana tjetër, rrjeti i amortizuar, mund të sjellë probleme të mëdha dhe me sigurinë e procedurave që nevojiten .
Një tjetër problematikë e hasur përgjatë auditit ka dalë edhe fakti se drejtuesit vendor s’mund të shohin dot para orës 16 se sa kërkesa apo aplikime të qytetarëve kanë mbetur pa u trajtuar.
Duket se pas kontrollit të KLSH dhe nxjerrjes në pah të këtyre problematikave, kadastra duhet të marrë masa për përmirësimin e tyre dhe përshpejtimin e punës.