Luka Modric e kishte mundësinë t’i bashkohej Cristiano Ronaldos në Al-Nassr. Por, veterani i mesfushës e ka hedhur poshtë një opsion të tillë. Kjo pasi fituesi i medaljes së bronztë në Botërorin e Katarit dëshiron të vazhdojë të luajë në Spanjë.
Lajmin e ka bërë të ditur mediumi spanjoll “Marca”. Ish-futbollisti i Tottenhamit është i vendosur të japë ende kontribut te Real Madridi, me të cilin ka fituar gjithçka në karrierë dhe ka kontratë deri në vitin 2024.
Klubi arab synonte ta transferojë përfaqësuesin kroat që në këtë muaj pasi po mundohet t’i mbledhë yjet në perëndim të karrierës për ta bërë një ekip të fuqishëm.
Ditë më parë u përmend edhe për një interesim të Al-Nassr për Sergio Ramos, i cili po e kalon vitin e fundit të kontratës me Paris Saint-Germainin dhe deri tani nuk ka diçka konkrete rreth vazhdimit të bashkëpunimit.