Dogjën magazinën me ushqime dhe kërcënuan me jetë policët, pranga dy 26-vjeçarve

0

Dy të rinj janë arrestuar te Vau i Dejës, pasi kanë djegur një magazinë dhe kanë tentuar t’i largohen policisë.

Mësohet se shtetasi me iniciale A. S., 26 vjeç dhe P. D., 26 vjeç kanë kërcënuar me jetë punonjësit e policisë, pasi u ndaluan nga këta të fundit.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Dogjën një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, kundërshtuan me dhunë dhe kanosën për vrasje punonjësit e Policisë, arrestohen në flagrancë dy 26-vjeçarë nga Bushati i Shkodrës. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, pas njoftimit se në fshatin Fshat i Ri, Vau i Dejës, kishte rënë zjarr në një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, menjëherë janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes.

Gjatë rrugës për në vendin e ngjarjes, shërbimet e Policisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për 2 shtetas si autorë të dyshuar të ngjarjes, kanë lokalizuar në fshatin Rranxa, një automjet me të cilin po qarkullonin 2 shtetas dhe i kanë bërë shenjë për ndalim. Në momentin e ndalimit, shtetasit A. S. dhe P. D. kanë kundërshtuar me dhunë dhe kanë kanosur për vrasje punonjësit e Policisë, por falë reagimit të punonjësve të Policisë, ata janë neutralizuar dhe arrestuar në flagrancë.Në përfundim te veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës arrestuan në flagrancë shtetasit A. S., 26 vjeç dhe P. D., 26 vjeç, të dy banues në Bushat, Shkodër. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur një magazinë me bazë ushqimore dhe vegla pune, në Fshatin e Ri, në Vaun e Dejës, në pronësi të shtetases Z. Gj.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, të kryera në bashkëpunim.

 


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu