Kosova sot 15 vite shtet i pavarur/ Begaj: Ditë krenarie për të gjithë, ne jemi me ju!

0

Presidenti Bajram Begaj ka uruar Kosovën për 15-vjetorin e Pavarësisë, ku i pranishëm në festimet e mbajtura në Parlament tha se sot është një ditë krenarie për të gjithë.

Begaj tha se Pavarësia e Republikës së Kosovës ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej shqiptarëve.

Sakaq shtoi se vendi ynë mbështet Kosovën në integrimin euro-atlantik dhe dialogun me Serbinë, për të siguruar stabilitet në të gjithë rajonin.

Fjala e Begajt:

Kam kënaqësinë e madhe të jem sot mes jush në këtë ditë të shënuar për Kosovën, Shqipërinë, për kombin shqiptar. Jemi një komb që ka përballur me dinjitet historinë e vështirë të rajonit e ka kontribuar për paqen në rajon dhe padyshim në Evropë, pavarësisht se i ndarë prej kufijsh. Pavarësia e Republikës së Kosovës ishte drejtësia shekullore që komuniteti ndërkombëtar i detyrohej shqiptarëve. Ditë e Pavarësisë së Republikës së Kosovës na kujton forcën e qëndresës së popullit shqiptar. Është një ditë krenarie për ne të gjithë, por dhe mirënjohjeje dhe falenderimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe të gjithë shteteve të tjera që iu gjenden pranë popullit shqiptar të Kosovës me forcë ushtarake, diplomatike dhe humanitare. Gjithashtu, u jemi falënderues shteteve mike që njohën menjëherë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Në këtë ditë të shënuar për Ju të nderuar përfaqësues e qytetarë të Republikës së Kosovës, e po aq të rëndësishme për të gjithë shqiptarët, me mirënjohje kujtojmë Adem Jasharin, UÇK- në, luftëtarët e lirisë që edhe sot na frymëzojnë me sakrificën e tyre për të mbrojtur të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e një populli.

Shqipëria është mbështetëse aktive e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës, pikësëpari e finalizimit të heqjes së vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kam pritur me entuziazëm lajmin e aplikimit të Republikës së Kosovës për procesin e anëtarësimit në BE. Përfitoj nga kjo mundësi për t’ju uruar sukses e hapa sa më të shpejtë në këtë rrugëtim. Shqipëria është pranë jush edhe për pranimin e Republikës së Kosovës në NATO, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, si dhe në të gjithë organizatat e tjera ndërkombëtare. Shqipëria e ka mbështetur dhe e mbështet dialogun Kosovë – Serbi. Republika e Kosovës është shtet i lirë e i pavarur sido të mendojë apo veprojë zyrtarisht Serbia. Qeveria Serbe nuk është distancuar nga agresori e as agresioni dhe as ka ndalur aktivitetin e saj kundër njohjes së Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Serbisë duhet të bashkëpunojë me qeverinë e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe ruajtjen e paqes në rajon. Angazhimi i Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i të dërguarve të posaçëm për Ballkanin Perëndimor është shprehje e qartë e rëndësisë që ka Republika e Kosovës për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të të gjithë rajonit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu