Tornado e fuqishme në Misisip! 7 viktima

0

SHBA- Një tornado e fuqishme ka përfshirë mbrëmjen e kaluar Misisipin, duke vrarë të paktën shtatë persona e duke shkatërruar ndërtesa dhe duke ndërprerë energjinë, raporton ‘The Guardian’.

Shërbimi Kombëtar i Motit konfirmoi se tornado shkaktoi dëme rreth 60 milje (96 km) në veri-lindje të Jackson, Misisipi. Qytetet rurale të Silver City dhe Rolling Fork raportuan shkatërrim ndërsa tornado vazhdoi të përhapet në veri-lindje me 70 mph (113 km/h), duke u zhvendosur drejt Alabamës.

Mjekja ligjore e qarkut Sharkey, Angelia Easton, konfirmoi numrin e personave të vdekur.

Aktualisht, Rolling Fork ka nevojë urgjente për personel, pasi njerëzit kanë mbushur spitalet.

Guvernatori i Misisipit, Tate Reeves, tha se ekipet e kërkimit janë aktive e se po dërgohen më shumë ambulanca dhe mjete emergjente për të prekurit. Kryetari i bashkisë së Rolling Fork, Eldridge Walker, tha për WLBT-TV se ai nuk ishte në gjendje të dilte nga shtëpia e tij pasi tornado goditi banesën si dhe shtoi se linjat e energjisë ishin të prishura.

Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi ​​​​një alarm urgjent, duke paralajmëruar:

‘Për të mbrojtur jetën tuaj, largohuni tani. Jeni në një situatë kërcënuese për jetën”

Stuhia, ishte e llojit që prodhoi tornadot më vdekjeprurëse dhe breshrin më të dëmshëm në Shtetet e Bashkuara, tha një profesor i meteorologjisë në Universitetin e Ilinoisit Verior, Walker Ashley.

Meteorologët parashikuan një rrezik të madh për tornado një javë përpara. Ekspertët e tornados kanë paralajmëruar për ekspozim në rritje të rrezikut në rajon për shkak të njerëzve që ndërtojnë shumë.

Qendra e parashikimit të stuhisë paralajmëroi se kërcënimi më i madh i tornadove do të vinte në disa pjesë të Arkansas, Luiziana, Misisipi dhe Tenesi. Më shumë se 49,000 persona kanë mbetur pa energji në Arkansas, Mississippi dhe Tennessee.