ARGJENTINË- Një modele ka humbur jetën në Argjentinë, pasi ra nga një apartament në katin e 6. The Mirror shkruan se 26-vjeçarja Emmily Rodrígues Santos, ishte duke vizituar apartamentin e biznesmenit Francisco Sáenz Valiente në Buenos Aires me dy gra të tjera kur ajo vdiq pasi ra në rrethana misterioze.
Valiente tani po mbahet në paraburgim nën dyshimin për vrasje, ndërsa policia në Argjentinë vazhdon hetimet e saj. Njëra nga femrat në vendngjarje, një 37-vjeçare e quajtur vetëm ‘JMM’, mësohet se është mike e të dyshuarit. Gruaja tjetër, e cila nuk u emërua, ishte larguar nga banesa në momentin që Emily ra për vdekje.
Me origjinë nga Salvadori në Brazil, Emily kishte disa vite që jetonte në kryeqytetin argjentinas. Në mbrëmjen e incidentit, Valiente kishte darkuar me një grup miqsh, përfshirë JMM, përpara se të shkonte në një bar në zonën e modës të Palermos. Biznesmeni dhe tre gratë më pas u kthyen në banesën e tij në ndërtesën Libertad, që ndodhet në lagjen e pasur të Retiro.
Autoritetet që mbërritën në kompleksin e apartamenteve e gjetën modelen të shtrirë lakuriq në tokë në oborr. Një ambulancë mbërriti për të dërguar Rodrígues Santos në spital, por ajo u shpall e vdekur në vendngjarje. Fqinjët më vonë thanë për mediat lokale se biznesmeni shpesh bënte festa gjatë gjithë natës në shtëpinë e tij dhe se ishte e zakonshme të dëgjoje britma dhe zhurma të forta.